Burgjeve shqiptare ju duhet personel, 406 vende vakante

11 Nëntor 2024, 11:22Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Burgjet në Shqipëri po përballen prej vitesh më mungesë personeli.  E për këtë arsye, në Kuvend është depozituar një amendim në ligjin e vitit 2020 ku kërkohet që punësimet në sistemin e burgjeve të kryhen sipas rregullimeve në Kodin e Punës dhe jo sipas ligjit për shërbimin civil.

“Një ndër qëllimet e përfshirjes së Drejtorisë së Burgjeve dhe Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në listën e institucioneve, marrëdhënia e punës së nëpunësve të të cilëve rregullohen nga ligji për nëpunësin civil, ishte edhe krijimi i një shërbimi të qendrushëme, që ruan dhe zhvillon kapacitetet e nëpunësve që rekrutohen. Megjithatë, gjatë zbatimit të ligjit u provua se ky mjet nuk solli efektet e dëshiruara pasi jo vetëm që vakancat nuk u plotësuan, por me kalimin e kohës edhe ata nëpunës që u bënë pjesë e sistemit të burgjeve janë larguar ose kanë ndryshuar institucionet ku punesohen. Një gjë e tillë ka sjellë efekte jo pozitive edhe për shkak të ndjeshmërisë që ka ky institucion në sistemin e drejtësisë” shkruhet në relacionin e amendamentit të deputetes Antoneta Dhima.

Referuar relacionit, aktualisht janë 406 vende vakante në sistemin e burgjeve.

“Mbipopullimi i burgjeve kërkon që vakancat të plotësohen sa më parë për të garantuar të drejtat dhe trajtimin dinjitoz të të dënuarve dhe të paraburgosurve. Përmes ndryshimit të regjimit të marrëdhënies së punës së këtyre nëpunësve do të arrihet një plotësim më i shpejtë i vakancave, duke ndikuar direkt në rritjen e nëpunësve, normalizimin e ngarkesës së punes, si dhe në rritjen e cilësisë së shërbimit të ofruar dhe respektimit të të drejtave të të dënuarve dhe të paraburgosurve” shkruhet më tej në relacion.

Nisma pritet të shqyrtohet në komisione për të kaluar më pas në parlament për vendimin final të deputetëve.

Video