Grante, kredi të buta e stimuj të tjerë financiarë. Këto janë disa nga masat mbështetëse që parashikohen në ligjin e ri “Për performancën energjetike në ndërtesa”, me qëllim kursimin e energjisë dhe reduktimin e emetimeve.
Sipas dokumentit të nxjerrë për konsultim publik skemat e financimit do të miratohen nga Këshilli i Ministrave dhe do të jenë në funksion të rinovimit të ndërtesave private, rinovimin e stokut kombëtar të ndërtesave publike, auditimin dhe certifikimin e ndërtesave, si dhe zëvëndësimin e sistemeve teknike që shfrytëzojnë lëndë djegëse fosile me sisteme alternative me eficiencë të lartë energjitike që shfrytëzojnë burime të rinovueshme energjie.
Kjo nënkupton se mbështetja financiare do të mund të përdoret nga qytetarët apo institucionet shtetërore për termoizolimin e ndërtesave, zëvendësimin e dyerve dhe dritareve, si dhe aplikimin e masave të tjera të eficiencës së energjisë, me qëllim kursimin dhe reduktimin e emetimit të gazeve serrë , që vijnë nga sektori rezidencial.
Kjo do të përmbushë edhe objektivin e parashikuar në ligj për transformimin në një stok me performancë të lartë energjitike dhe të dekarbonizuar deri në vitin 2050, të ndërtesave ekzistuese.
Drafti specifikon se për ndërtesat me shumë njësi banimi, sikurse janë ndërtesat me shumë apartamente, kourumi i nevojshëm për të aplikuar dhe proceduar me realizimin e skemës së mbështetjes është 60% e pronarëve të njësive të banimit. Kjo do të thotë se të paktën 60% e pronarëve të një pallati duhet të arrijnë dakordësinë për të aplikuar dhe përfituar nga skemat mbështetëse.