Paketa fiskale, cilat janë ndryshimet në taksa që kërkon biznesi?

12 November 2024, 11:14Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Paketa fiskale, cilat janë ndryshimet në taksa që kërkon

Në kohën kur po diskutohet buxheti për vitin 2025 dhe nuk është hartuar një paketë fiskale, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, së bashku me disa shoqata biznesi, siç është ajo e ndërtuesve, shoqata e agrobiznesit; turizmit; bimëve mjekësore; shoqata e industrisë ushqimore dhe ajo përpunimit të qumështit, kërkojnë nga qeveria që të rishikohen tatimet mbi konsumin dhe tarifat doganore.

Konkretisht, në sektorin e bujqësisë kërkohet ulje e TVSH-së për Industrinë Prodhuese agroushqimore në 5-7%,nga 20 që është aktualisht; të rivendoset shkalla e kompensimit të fermerëve në 20 %; kreditim me 75 % të TVSH për shitjen e produktit bujqësor vendas nga subjektet që nuk janë objekt i TVSH; si dhe përjashtim nga TVSH për investimet në teknologji të gjelbërta.

Sa i takon sektorit të ndërtimit, kërkohet të rishikohet taksa e ndikimit në infrastrukturë e cila sot llogaritet 4-8% ndaj çmimit të shitjes, duke sugjeruar që kjo taksë të llogaritet sipas vlerës së preventivit të punimeve dhe jo çmimi final të shitjes për m2. Gjithashtu kërkohet të rishikohet niveli i tarifës së depozitimit të dherave, me argumentin që është një tarifë e lartë dhe ndikon në kostot e ndërtimit.

Biznesi kërkon gjithashtu rimbursimin automatik të TVSH-së, rimbursimin e taksave doganore; taksave mjedisore dhe akcizave të paguara për lëndë të para dhe pjesë të produkteve që eksportohen.  Përjashtimi i akcizës për lëndën djegëse që përdoret në procesin e prodhimit; përjashtim prej taksave doganore për të gjitha lëndët e para që shërbejnë për prodhim të produkteve të gatshme.

Sa i takon politikës monetare, kërkohet ndalimi i transaksioneve ekonomike në monedhë të huaj përmes vendosjes së penaliteteve dhe marrjen e masave për uljen e parasë fizike në qarkullim.

Nga ana tjetër kërkohen lehtësi dhe më pak burokraci në zbatimin e legjislacionit në fuqi nga ana e bizneseve.


Video