Sejko: Papunësia u reduktua 7 përqind, ndërsa borxhi nga 72 përqind në 56 përqind të PBB-së

13 Nëntor 2024, 12:19Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Tema e konferencës që u zhvillua sot në Tiranë, nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave ishte “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko; Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Bledar Shella, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi, ministri i Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, ministrit të Financave, Petrit Malaj si dhe të ftuar të tjerë nga institucionet e linjës.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko tha se, Banka e Shqipërisë është pjesë integrale në procesin e integrimit të vendit në BE, në 5 kapituj.

Sejko tha se, “procesi i integrimit nënkupton edhe një ekspozim në rritje ndaj flukseve financiare në formën e investimeve të portofolit. Këto flukse i shërbejnë zhvillimit të tregut financiar dhe reduktojnë kostot e përgjithshme të financimit në vend. Në këtë kontekst, ne gjykojmë se kuadri aktual rregullator dhe ai i politikës monetare ofrojnë një pikënisje të mirë për adresimin e tyre”.

Duke u ndalur në zhvillimin e ekonomisë , Sejko deklaroi se, “Shqipëria e vitit 2024 ofron një realitet krejtësisht të ndryshëm ekonomik krahasuar me një dekadë më parë, kur vendi mori statusin e kandidatit për anëtarësim. Vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend është rritur nga 10 në 24 miliardë euro, niveli i papunësisë është reduktuar nga 17.5% në 10.7%, dhe të ardhurat mesatare vjetore për frymë janë rritur nga 3500 në 9200 euro”.

Sipas tij, “inflacioni ka shënuar një nivel mesatar prej 2.5% gjatë kësaj periudhe, deficiti i llogarisë korrente është ulur nga thuajse 11% në 2% të PBB-së, borxhi i huaj është reduktuar nga 70% në 44% të PBB-së, ndërsa borxhi publik ka zbritur nga 72% në 56% të PBB-së. Paralelisht me to, sektori bankar ka shfaqur qëndrueshmëri dhe tregues financiarë në përmirësim. Kështu, raporti i kredive me probleme ka zbritur nga thuajse 23% në 4.6%, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka shënuar një nivel mesatar prej 18%, ndërkohë që sektori bankar ka vijuar të kreditojë ekonominë dhe të shfaqë nivele të larta likuiditeti dhe rentabiliteti.

Konferenca do të jetë e organizuar në tre sesione, ku temat kryesore të bisedimeve do të fokusohen në hapjen e dritës jeshile dhe fillimin në muajin tetor të procesit zyrtar të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian si dhe rolin që kanë në procesin e integrimit bankat qendrore dhe sektori bankar.

Video