Gjatë vitit 2022 dhe 2023 dërgesat e emigrantëve prekën rekord historik duke arritur vlerën e 833.7 dhe 928 mln eurove. Këto ishin edhe shifrat më të larta që prej vitit 2008-të. “Scan Intel”, nisur nga të dhënat e “Bankës së Shqipërisë”, ka analizuar periudhat kur emigrantët dërgojnë më shumë para në vendin tonë dhe si e ka ndikuar rënia e euros këtë indikator.
Nisur nga ecuria tremujore e treguesit, shifrat tregojnë një model sezonal, ku tremujori i dytë dhe i katërt shpesh reflekton një rritje të remitancave. Kjo rritje në tre muajt e fundit mund t’i atribuohet sezonit të festave, kur shumë emigrantë dërgojnë fonde shtesë për familjet e tyre. Sigurisht që trendi është në përputhje me modelet globale, ku remitancat priren të arrijnë kulmin gjatë periudhave festive.
Nëse marrim në analizë shifrat për vitin 2022 dhe 2023 si të plotë, shohim se nivelin më të lartë të prurjeve nga jashtë e ka regjistruar tremujori i fundit i vitit. Gjatë vitit të kaluar në tre muajt e fundit niveli i remitancave u regjistrua në 252 milionë euro. Po të marrim mesataren e kësaj periudhe që nga viti 2008-të, shohim se niveli i remitancave në fundvit afrohet prenë nivelit të 200 milionë eurove.
Këto të ardhura më të larta sigurisht që rrisin edhe fuqinë blerëse gjatë kësaj periudhe. Remitancat kontribuojnë ndjeshëm në PBB-në e Shqipërisë, duke siguruar një amortizues ndaj goditjeve ekonomike dhe duke nxitur përfshirjen financiare. Ato gjithashtu mbështesin konsumin e brendshëm, i cili nga ana e tij stimulon bizneset lokale dhe ekonominë më gjerë.
Sipas shifrave të “Bankës së Shqipërisë” niveli i remitancave ka treguar qëndrueshmëri dhe rritje ndër vite, por rënia e euros ka ndikuar shumë në zhvlerësimin e tyre. Le të bëjmë një llogari të shkurtër për të parë se sa humbin shqiptarët nga rënia e euros në fundvit. Sipas një studimi të “Bankës së Shqipërisë” vetëm 25.5% e familjeve në Shqipëri tyre marrin remitanca, pra 1 në 4 familje shqiptare. Referuar përllogaritjeve dhe nisur nga të dhënat e Censit për numrin e familjeve, nga totali, rreth 189 mijë prej tyre presin dërgesat e emigrantëve.
Referuar shifrave të “Bankës së Shqipërisë” mesatarja e kursit të këmbimit Euro-Lek, në fund të vitit 2022, llogaritej në 116.4 lekë, ndërsa dërgesat nga emigrantët llogariteshin në rreth 241 milionë euro. Kështu, në këtë periudhë familjet shqiptare përfitonin rreth 1,278 euro në tre muaj nga remitancat ose rreth 148 mijë lekë.
Por sa përfituan në fundvitin e 2023-shit me rënien e euros? Sipas të dhënave zyrtare një euro në tre muajt e fundit të vitit te kaluar u këmbye me rreth 104.2 lekë. Ndërkohë remitancat në tremujorin e katërt të vitit 2023 vlerësoheshin në 252 milionë euro, ose 1,333 euro për familje. E konvertuar në lekë kjo shifër vlerësohet në rreth 123 mijë lekë në tre muaj për familje. Pra, edhe pse remitancat ishin më shumë në vitin 2023, për shkak të rënies së euros familjet përfituan më pak. Ka familje në Shqipëri që mbahen vetëm nga remitancat dhe sigurisht rënia e euros për ta do të thotë më pak të ardhura dhe rrjedhimisht bie fuqia blerëse dhe për pasojë mirëqenia e tyre.