KESH do të prodhojë energji me diell, projekt për central fotovoltaik 50 MW në Belsh

21 Tetor 2023, 13:20Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Korporata Energjitike Shqiptare synon që të shfrytëzojë ndihmën financiare të Bashkimit Europian, të dhënë në kuadër të Planit të Rritjes për të diversifikuar burimet e prodhimit të energjisë elektrike.

Aktualisht KESH siguron të ardhura vetëm nga prodhimi i energjisë përmes hidrocentraleve në Kaskadën e Drinit, që do të thotë se arka e korporatës varet ngushtësisht nga tekat e motit. Në vitet e thata, KESH importon sasi të konsiderueshme energjie që boshatisin arkat e saj, ndërsa në vitet me shira të bollshëm të ardhurat edhe nga eksporti i energjisë janë të kënaqshme.

Për të diversifikuar burimet, KESH do të realizojë dhe operojë një central prodhimi energjie diellore në zonën e Dumresë. Sipas projektit, që është në fazë të avancuar, centrali do të ketë kapacitet prej 50 megavatësh, që siguron një prodhim vjetor mesatar të mjaftueshëm për të furnizuar të gjithë qarkun e Elbasanit.

Projekti me kosto gati 50 milionë euro synohet që të financohet me grante nga Bashkimi Europian në kuadër të Paketës së Rritjes, së njoftuar gjatë samitit të Tiranës nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Aktualisht, qeveria ka identifikuar dy zona ku mund të ndërtohet centrali fotovoltaik dhe që të dyja pa kosto shpronësishmesh pasi bëhet fjalë për prona shtetërore. Zona e parë që po shqyrtohet është zona e Marinës, rreth 5 kilometra në jug-lindje të qytezës së Belshit, ndërsa zona e dytë është në kufi mes Bashkisë së Belshit dhe asaj të Kuçovës, pranë fshatit Kozare.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video