Çmimet në Shqipëri po ulen më ngadalë se në BE, shkak ushqimet

18 Tetor 2023, 14:00Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Matja sipas metodologjisë së Eurostat e inflacionit në vendin tonë tregon se në muajin shtator çmimet u rritën me 4.9 për qind, po aq sa në vendet e Bashkimit Europian.

Shifrat provojnë se rënia e çmimeve në Shqipëri ka qenë më e ngadaltë se ato në tregun europian. Të dhënat tregojnë se në janar, inflacioni në vendet e Bashkimit Europian ishte gati 10 për qind, ndërsa në Shqipëri 7.2 për qind.

Metodologjia e matjes sipas standardeve europiane tregon se në muajt pasues, inflacioni në BE ra me ritme më të shpejta se inflacioni në Shqipëri, për t’u barazuar në shifra në muajin shtator.

Arsyeja lidhet me grupet kryesore që kanë ndikuar në mbajtjen e tij në nivele të larta. Sipas të dhënave të Eurostat, çmimet e larta në BE janë ndikuar energjia, shtrenjtimi i gazit dhe paniku që kapi tregjet pas bllokadës që Perëndimi vendosi ndaj karburanteve ruse.

Në Shqipëri, karburantet mbajtën lart inflacionin përgjatë vitit të kaluar, ndërsa këtë vit grupi kryesor janë ushqimet dhe pijet joalkoolike.

Të dhënat e Instat tregojnë se në shtator, inflacioni në këtë grup ishte 8.4 për qind. Edhe në BE, inflacioni për këtë grup ka qenë në këto nivele, por në Shqipëri ndjehet më shumë në inflacionin e përgjithshëm për shkak të të ardhurave më të ulta. Të dhënat sugjerojnë se shqiptarët shpenzojnë gati 40 për qind të të ardhurave mujore për ushqime, ndërsa në BE kjo shifër është më pak se 10 për qind.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video