Në raportin e fundit të publikuar nga Banka Botërore është rishikuar një rritje me 0.8% për Shqipërinë. Pritshmëritë për rritjen ekonomike në vitin 2023, projektohet 3.6%, nga 2.8% që ishte ky parashikuar në qershor të këtij viti.
“Faktor kryesor në qëndrueshmërinë e Shqipërisë vlerësohet të jetë afërsia me Bashkimin Evropian, që lehtëson investimet, remitancat dhe eksportet. Ndërtimi dhe turizmi vlerësohen si katalizatorë të rritjes ekonomike,” shkruhet në raportin e Bankës Botërore.
Referuar zhvillimeve aktuale, Banka Botërore thekson se indikatorët kryesorë ekonomikë sugjerojnë përshpejtim të rritjes gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë, me numrin rekord të vizitorëve të huaj në korrik 2022 dhe përshpejtimin e aktivitetit të ndërtimit.
Rritja e të ardhurave nga punësimi si edhe të ardhurat nga taksat sugjerojnë një rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë dhe të tretë, si pasojë e rritjes së konsumit, investimeve dhe eksporteve.
Banka Botërore parashikon se rritja e aktivitetit të turizmit dhe ndërtimit pritet të shtyjë përpara eksportet, konsumin dhe investimet në vlera të përafërta me periudhën para pandemisë.