Norma e interesit nuk ndryshon, Sejko: Kursi aktual i këmbimit do të jetë normaliteti i ri

4 Tetor 2023, 21:06Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kursi aktual i këmbimit do të jetë normaliteti i ri

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3%. Guvernatori, Gent Sejko, tha se vendimi për të mbajtur përsëri të pandryshuar normën bazë tenton të balancojë natyrën shtrënguese të politikës fiskale dhe forcimin e Lekut në kursin e këmbimit valutor.

“Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje ndihmon në krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm. Gjithashtu, ajo është konsistente me kahun konsolidues, aktual e të pritur, të politikës fiskale si dhe me kahun forcues që ka ndjekur ecuria e kursit të këmbimit gjatë vitit 2023. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këtë kontekst, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për garantimin e stabilitetit të çmimeve”, tha Sejko.

Ndërkohë për Bankën Qendrore, kursi aktual i këmbimit në nivelet e 105 lekë do të jetë normaliteti i ri edhe për periudhën në vijim.

“Pas luhatjeve, ky kurs është sinjalizuar në periudhën gusht e shtator duke krijuar një normalitet të ri. Megjithatë në periudhën afatshkurtër mund të përballemi me luhatje”, u shpreh Sejko.

Mbajtja në nivelin 3 për qind të normës bazë të interesit është lajm i mirë për kredi-marrësit në lekë, të cilët nuk do të paguajnë më shumë për këstet e tyre. Megjithatë Banka e Shqipërisë paralajmëron se nëse inflacioni do të pësojë rritje, atëherë edhe politika monetare mund të shtrëngohet më tej.

Pas mbledhjes së ditës së sotme, Këshilli Mbikëqyrës konfirmoi projeksionet për një rritje më të ngadalësuar të ekonomisë gjatë vitit 2023 dhe për një kthim gradual të inflacionit në objektiv vitin e ardhshëm.

“Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë periudhës në vijim, ndërsa inflacioni do të kthehet në objektiv rreth mesit të vitit 2024. Në periudhën afatshkurtër, një ritëm më i moderuar i rritjes ekonomike pritet të sjellë një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, duke ndihmuar reduktimin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe stabilizimin e çmimeve gjatë vitit të ardhshëm. Më tej, në periudhën afatmesme, ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë drejt normalizimit, në linjë me potencialet prodhuese të vendit. Ky skenar parashikimesh faktorizon pritjet tona për një ecuri të ngadaltë, por gjithsesi pozitive, të ekonomisë se Eurozonës, pritjet për reduktim gradual të inflacionit në ambientin e huaj, si dhe pritjet për një ecuri të qetë të ekonomisë dhe të tregut financiar shqiptar. Në të njëjtën kohë, përditësimi i analizës dhe parashikimeve sugjeron një profil më neutral të balancës së rrezikut”, thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës.


Video