Kur Meta e Berisha refuzojnë të shihen në pasqyrë

10 Gusht 2022, 21:23Pikëpamje SHKRUAR NGA SKëNDER MINXHOZI
Skënder Minxhozi

Ka 11 vjet që Sali Berisha dëgjon të flitet majtas-djathtas për 21 janarin. Kjo ngjarje ka lënë pas bilancin tragjik, por edhe “bishtin” e gjatë të polemikave që ende nuk është shuar. Një arsye madhore është sepse kjo tragjedi e konsumuar në mes të Tiranës nuk ka gjetur ende të vërtetën e saj. Kryeministri i asaj dite tragjike vazhdon të flasë me vetëmburrje për atë që ndodhi në këmbët e zyrës së tij. Vazhdon ta konsiderojë grusht shteti protestën e opozitës, paçka se në më shumë se një dekadë nuk ka ofruar as edhe një provë të vetme për akuzën që bën. As komisioni i tij parlamentar i ngritur pas 21 janarit nuk qe në gjendje të prodhojë as raport final dhe as akuza konkrete për grushtin fantazmagorik të shtetit.

Berisha i ka marrë prej kohësh përsipër politikisht vrasjet e 21 janarit. Është ai i vetëm përballë aktit tragjik, as të afërmit e tij, as ndonjë shok a koleg. Madje as ministrat e tij të kohës. Ai, i vetmi, që ka thënë se rrinte me pushkë snajper pas dritares së zyrës së kryeministrit, duke pritur që protestuesit të riktheheshin. Ai, që pengoi hetimet për 21 janarin, duke përzënë prokurorinë me mandate arresti në dorë. E megjithatë vetë Sali Berisha e quan krejt normal raportin e tij me vrasjet në fjalë, ndërkohë që akuzon si vrasës Ramën për pushkatimin e një poeti nga diktatura. Harron të shihet në pasqyrë dhe hidhet në sulm.

Përballë kësaj rrene e hipokrizie të përgjakshme kolektive, opozita përmend si në kor prej vitesh pushkatimin e poetit Avzi Nela në kohën e komunizmit, duke e drejtuar gishtin pa droje dhe plot vetësiguri drejt Edi Ramës. E pra, e vërteta më e thjeshtë e kësaj historie na thotë se personi Edvin Rama nuk ka kurrfarë përgjegjësie në atë vrasje tragjike. Havzi Nelën nuk e vrau Edi Rama! Nëse vetë ai duhet të përgjigjet për të gjitha veprimet e të jatit, atëhere jemi kthyer në zyrtarisht në komunizëm, kur për një shkarje këmbe apo akuzë ndaj një anëtari të familjes, shkonte në internim i gjithë fisi. Nëse opozita mendon se fiton vota me këtë qasje hipokrite ndaj një fenomeni që ka traumatizuar në të shkuarën të gjithë shoqërinë shqiptare, gabohet rëndë dhe trashë. Të vrarët e komunizmit i dimë, kanë ndodhur atëhere kur diktatura të merrte jetën dhe të degëdiste në Spaç, po këtyre vrasjeve në demokraci si t’ua vemë emrin?!

Në anën tjetër të litarit, një tjetër ndodhi fatmirësisht politike dhe pa gjak brenda, na kujton sesi politikanët kryesorë të Shqipërisë e kanë memorjen të shkurtër dhe sytë të verbër, kur ju intereson të jenë edhe sklerotikë, edhe qorra. Tridhjetë vjet pasi ka hyrë në politikën aktive, ish-presidenti ka zbuluar ‘papritur’ se demokracia e drejtpërdrejtë e referendumeve është ajo që i duhet Shqipërisë. Të kthejmë sytë nga Zvicra pasi u endëm për tre dekada nëpër kallamishtet e tranzicionit…me Metën, Berishën, Ramën e Nanon kryetarë!

“Koha e Referendumit po vjen përgjithmonë! Ndaj më 25 Korrik u mor vendimi historik për t’u dhënë shqiptarëve Partinë e Lirisë e cila do të pagëzohet si Partia e Referendumeve shumë shpejt! Bashkëpunim me çdo ekspert, faktor, parti, grup interesi dhe çdo qytetar për të garantuar ligjërisht ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese të bllokuar nga oligarkia për dy dekada. Koha kur pakica vendoste pas shpinës të shqiptarëve ka përfunduar përgjithmonë”, shkruante Ilir Meta të mërkurën. Jepini një  pasqyrë të shihet,  të vjen të thuash, pasi lexon këto rreshta.

Ilir Meta zbulon demokracinë direkte të referendumeve tre dekada pasi ka qenë autor i rreshtit të parë të kapjes së shtetit nga oligarkia politike dhe një grusht fytyrash që këmbejnë poltronat më të larta, duke refuzuar të ikin. Zoti Meta ka qenë shqiptari që ka pasur postet më të larta drejtuese të shtetit tonë, që nga dita e themelimit të tij në vitin 1912. Ka pasur në dorë më shumë se kushdo tjetër të krijojë më tepër hapësirë dhe mundësi që zgjedhësit të dëgjohen dhe që arbitrariteti politik të mos mbretërojë kaq dominant dhe me arrogancë si sot.

Nuk bëri asgjë, ashtu siç nuk bënë as të tjerët si ai në këtë drejtim. Njëlloj si ata, mori votat dhe i përdori për ta bërë lodhur e tretur këtë shtet.

Meta nuk ofron asnjë projekt apo ide konkrete për formatin, qëllimet kryesore, modalitetet dhe procedurat që do të ndjekin referendumet. Duket përsë largu se ideja e tij është që njëfarësoj të kufizojë pushtetin e Ramës, por mënyra populiste dhe ultimative me të cilën e kumton, na thotë se kjo puna e referendumeve të Metës është thjesht një tezë mitingu, jo një projekt konkret. Ashtu si Berisha, edhe Meta harron të shkuarën e tij, rekordet që ka lënë pas dhe dëmet që ka bërë me stilin e tij të drejtimit, ku nocioni i referendumit ishte më pak se një shaka kafeneje.

Video