Berisha e Meta si dy gjobëvënës të dëshpëruar

5 Gusht 2022, 18:45Pikëpamje SHKRUAR NGA MERO BAZE
Mero Baze

Raporti i Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve kishte përfshirë sot si një element të dëmshëm për klimën e investimeve në Shqipëri, Sali Berishën dhe aktet e tij politike. Si për ta vërtetuar këtë raport, Berisha dhe Meta kanë dy ditë që janë kthyer në kërcënues të investitorëve të huaj në Shqipëri, me shpresë se do ngjallin pasiguri.

Dy udhëheqësit opozitarë që ngjanë të trazuar për të ardhmen e tyre, Sali Berisha dhe Ilir Meta, janë bashkuar në një sistem gjobëvënës ndaj biznesmenëve të mëdhenj në Shqipëri dhe investitorëve të huaj, me shpresë se do të krijojnë pasiguri për klimën e investimeve në vend.

Rasti më flagrant është thirrja e njëpasnjëshme, fillimisht e Sali Berishës dhe sot e Ilir Metës, ndaj qytetarëve, që të mos blejnë prona të patundshme tek projekti i ri i Durrësit, financuar nga një prej katër kompanive më të mëdha në botë në patundshmëri, siç është grupi i investimeve të Princit të Emirateve të Bashkuara.

Përpjekja për të krijuar pasiguri në klimën e investimeve në vend dhe kërcënimi ndaj investimeve të huaja, në të vërtetë është një akt i mirëfillti terrorizmi politik, i cili duhet të hetohet.

Por nga pikëpamja politike, ai është një akt i dëshpëruar hajdutësh, të cilët rrinë gjithë ditën dhe llogarisin se sa para do kishin fituar po të ishin ata në pushtet, me logjikën e gjobëvënës së tyre.

Por a mund të trembin Berisha dhe Meta investimet e huaja?

Natyrisht që jo. Çdo investitor i huaj që vjen në Shqipëri, tani vjen në një vend të NATO-s, që ka hapur negociatat për anëtarësim në BE dhe që ka dy faktorë anti-perëndimorë në treg, që duan të shkaktojnë trazira. Natyrisht që është një risk që e kanë marrë parasysh.

Projekti i Princit të Emirateve të Bashkuara në Beograd disa vite më parë përfundoi me sukses brenda dy vitesh dhe u shit i tëri për tregun e brendshëm serb.

Porti i Durrësit do të ridimensionojë ekonominë shqiptare dhe tregun e pronave, duke e kaluar Shqipërinë në një standard tjetër, në raport me rajonin. Sali Berisha dhe Ilir Meta e dinë mirë këtë dhe nuk e ndalin dot.

Ata e dinë që e humbasin garën me shqiptarët, nëse u bëjnë thirrje të mos blejnë aty. Thjesht nuk do t’i dëgjojë njeri. Ata nuk kanë qëllim realisht të trembin qytetarët dhe të krijojnë mëdyshje në tregun shqiptar. Tregu shqiptar i njeh ata të dy si hajdutë dhe gjobëvënës prej tridhjetë vitesh. Madje televizioni i familjes së Sali Berishës tani ka nisur u vë gjoba biznesmenëve për “mospërmendje emri”, një lloj shantazhi mafioz që tenton të mbajë të lidhur biznesin përmes frikës.

Por me shqiptarët Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë lojën e humbur. Shqiptarët, as shantazhohen dhe as frikësohen prej tyre. Madje bëjnë të kundërtën e asaj që thonë ata.

Berisha dhe Meta shpresojnë të trembin investitorët e huaj dhe t’u marrin ndonjë copë atyre nga ky investim. Kaq është i gjithë hakërrimi i tyre kundër investimeve të huaja. Shpresojnë se mund të trembin dikë jashtë Shqipërisë që nuk i njeh.

Por për fatin e tyre të zi, ata tani njihen dhe pranohen gjerësisht më shumë jashtë vendit, si hajdutë të certifikuar ndërkombëtarisht, se sa brenda vendit. Ndaj dhe duken kaq të dëshpëruar kur kërcënojnë.

Video