Kujt i duhen këto “armë me leje”, në det?!

4 Gusht 2022, 09:57Pikëpamje SHKRUAR NGA DRITAN GREMI
Skaf në breg të detit

Ngjarja e rëndë e dy ditëve më parë në plazhin e Potamit, tregoi qartë se skafet dhe jet skitë nuk janë gjë tjetër veçse “armë me leje”, që fatkeqësisht tashmë prej vitesh i kemi prezente çdo verë.

Ta paktën prej vitit 2016, kur një turist rus humbi jetën, pas goditjes nga një skaf, shteti shqiptar ka dështuar të gjejë një zgjidhje efikase për këtë problem, pavarësisht se mund të jetë përpjekur.

Kujtojmë se ka një vendim Nr 845, që mban datën 28 Tetor 2020, për miratimin e rregullave të hollësishme për aktivitetet turistike detare që kryhen nëpërmjet mjeteve lundruese, për qëllime turistike dhe argëtimi.
Vendimi në fjalë, ngarkonte Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, inspektoratin që mbulon fushën e turizmit dhe Inspektoratin Shtetëror Teknik Industrial për zbatimin e tij.

Por me sa duket diku, diçka apo shumëçka nuk funksionoi.

Realiteti tregoi se në vendin e ngjarjes mungonte krejtësisht rrethimi i perimterit me bova dhe stacioni i mjeteve motorike ishte i vendosur në mes të zonës së plazhistëve, pa u diferencuar aspak prej saj.

Nga ana tjetër, në plazhet shqiptare fenomeni mbetet prezent: Të dehur nga luksi dhe paratë pasanikët e rinj nuk po munden dot t’i vënë dot kufijtë vetes.

Disa të mbështetur nga politika e ca të tjerë me standardet e “të fortit”, ata mendojnë se mund të privatizojnë gjithçka që duan, jo vetëm tokën, por edhe detin, e mbase një ditë edhe qiellin.

Ne ende vijojmë të endemi në një kaos social e mendor dhe duket se fatkeqësisht, kemi sërish nevojë për forcë e dhunë për të kuptuar, që respektimi i ligjeve dhe rregullave nuk është dobësi, por detyrim për cilindo nga ne, pavarësisht statusit social, ekonomik apo politik.

Ndaj në këto kushte, më shumë se aksionet e Policisë së Shtetit, sekuestrimi apo kontrolli i mjeteve ujore mendoj se zgjidhja e domosdoshme dhe e vetme është ndalimi urgjent i tyre.

Një moratorium që do të pastronte detin nga këto armë vrastare, deri në momentin që përdoruesit e tyre do të ndërgjegjësohen për t’i përdorur ashtu siç duhen.

Në vitin 2022, kur pretendojmë të quhemi qytetarë të Europës ne nuk mund dhe nuk duhet të kërkojmë një polic për çdo makinë që qarkullon, apo një polic në dispozicion për çdo mjet që lundron.

Qeveria shqiptare ka absolutisht mekanizmat dhe mundësitë që përmes një VKM-je të urdhërojë ndalimin e çdo mjeti lundrues me qëllim argëtimin, derisa përdoruesit e tyre të jenë gati për t’i përdorur ato si duhet, e jo si mina me sahat.

Ne dështuam, nuk ditëm t’i përdorim mjetet lundruese si argëtim, por i kthyem ato në “armë”. Ndaj para se t’i kthejmë sërish në përdorim, duhet të bëhemi gati.

Dhe ketë e kemi vetë në dorë.

- Ne do të jemi gati kur të ndërgjegjësohemi për rrezikun që mbartin këto mjete lundrimi;

-Kur të kemi hapësira të duhura dhe të dedikuara për mjetet lundruese, jashtë dhe larg zonave ku notojnë apo pushojnë qytetarët;

-Kur të kemi staf apo efektivë të trajnuar, të kompletuar me mjete ujore që mund të kryejnë monitorim dhe kontroll të zonës;

-Kur politika apo pasanikët nuk do të guxojnë të “rrahin” telefonat për të kërkuar favore për miqtë apo të afërmit e tyre që shkelin ligjet dhe kërkojnë privilegje;

A keni mundësi t’i bëni të gjitha këto, apo ju duhet një polic për çdo qytetar?

Ne nuk jemi gati për të lundruar në det. Nuk kemi ndërgjegjen dhe përgjegjësinë e një angazhimi të tillë. E për të kuptuar më mirë, më lejoni t’ju kujtoj se asnjë shtetas i huaj nuk ka shkaktuar aksidente me mjete ujore në Shqipëri. Të gjithë shkaktarët e tyre janë shqiptarë.
Unë sot besoj dhe mendoj, se rezultatet nuk arrihen përmes detyrimit, kërcënimit, ndëshkimit dhe dhunës, por përmes fushatave ndërgjegjësuese dhe edukuese, që do na ndihmojmë të mos bëhemi më kurrë dëshmitarë të skenave të tilla.
Deri atëherë skafet dhe jet skitë nuk duhet të lundrojnë në ujërat tona. Dhe ju lutem mos më jepni si argument turizmin dhe të ardhurat e tij.
Ai këtë verë ishte fikur shumë përpara se të ndodhte kjo tragjedi.
Më keq akoma, as nuk arriti të ndizej, pavarësisht fushatave për plazhe të bukura e të pastra.
Ndaj të dashur , para se të jepni licencat e mjeteve lundruese dhe të mendoni për lekët që do fitoni prej tyre, kujtohuni se këto para nuk vlejnë më shumë se jeta e një vajze 7-vjeçare krejtësisht e pafajshme…

Video