Pushimet fatale të Jonadës dhe të pathënat e ngjarjes në Potam

4 Gusht 2022, 10:04Pikëpamje SHKRUAR NGA SPARTAK KOKA

Jonada Avdia vetëm 7 vjeç u përplas për vdekje në plazhin e Himarës mesditën e të martës datë 2 Gusht 2022. Komisari i Policisë Arjan Tase duke lundruar një skaf me dy motorë në shkelje të hapur të çdo ligji dhe çdo norme njerëzore hyri në breg të detit duke vrarë një fëmijë.

Jo në mënyrë aksidentale, apo siç e përcakton SHÇBA, si manovra të pakujdesshme, por si një cub, arrogant e përbuzës dhe që nuk ka frikë për shtet e për pushtet që mund të bëjë ç’të dojë se është në tokë të tij.

Komisar Arjan Tase sfidoi çdo shqiptar e të huaj që po pushonte në plazhin e Potamit. Pasi vrau një vajzë 7-vjeçare që po notonte në zonën e lejuar dhe të miratuar me ato ligje që nuk i zbaton askush nga këta si Arjani, me pushtet e shtet e që ia hedhin paq çdo herë e sa herë me pezullime, e pushime e miratime e riemërime dhe riciklime në detyra më të larta.

Ngjarja ndodhi në një hapësirë në hartën e miratuar për plazhet e lejuara dhe si stacion plazhi nga Bashkia e Himarës, Ministria e Turizmit e Drejtoria e Përgjithshme Detare.

E shikoni si është kjo hapësirë tokësore dhe detare tërësisht pa asnjë masë minimale sigurie ashtu siç e përcakton neni 7 i VKM-së për elementet e sigurisë në plazhe.

Të gjitha stacionet e plazhit duhet të kenë:

a) Sinjalizimin dhe kufizimin me bova (me diametër 22 centimetra) me ngjyrë të kuqe, të lidhura me litar pluskues me njëra-tjetrën, çdo 30–50 metra të hapësirës ujore përpara stacionit të plazhit të dedikuar për not, e cila duhet të jetë deri në:

i. 200 (dyqind) metra nga bregu për plazhet e tipit A;

ii. 100 (njëqind) metra nga bregu për plazhet e tipit B

Deri në thellësinë 1.6 metra (një pikë gjashtë) të vendosen bova (me diametër 22 centimetra), me ngjyrë të bardhë, e cila sinjalizon pushuesit për zonën e sigurt për notim.

Bovat duhet të jenë të mirankoruara dhe të kontrollohen periodikisht nëse ato kanë lëvizur nga pozicioni i tyre nga dallgët, era apo shkaqe të tjera.

b) sinjalizimin e zonave të përdorimit të mjeteve lundruese për argëtim, zonat për përdorimin dhe ankorimin e mjeteve lundruese me ose pa motor, jashtë zonave të përcaktuara për not sipas shkronjës “a”, më sipër, duhet të jenë të kufizuara, duke ofruar vende për ankorim (kalata), vendparkim në tokë dhe bova për përcaktimin e korridoreve për afrimin dhe parkimin në tokë të mjeteve ujore me ose pa motor.

Në zonat e përdorimit dhe ankorimit të mjeteve lundruese për argëtim, aktivitetet e notimit janë të ndaluara. Sinjalizimin me tabela informuese në shqip dhe në anglisht, në vend të dukshëm pranë bregut të detit “Zonë e ndaluar për notim” dhe “No swimming area”;

Në këtë vend nuk duken as bova as sinjalizuese dhe asgjë që të tregojë që kemi të bëjmë me një plazh. Por në 15 metra nga deti ndodh vrasja e vajzës dhe në të njëjtin breg ku janë shezlongët e qytetarëve është dhe tabela e “Japim Jetski e skafe me qera”.

Si mund të ndodhë kjo gjë kaq hapur, fare pranë Komisariatit të Policisë dhe Bashkisë Himarë?

Kush e lejon abuzimin ditën për diell të ligjit në këtë farë mënyre? Ata që kanë pushtetin dhe janë gjithmonë me shtetin që ka pushtetin si Arjani, Edmondi, Dritani e Neritani.

E kuptoni përse ngjarja e Jonadës nuk duhet të trajtohet si aksidentale. Por si një vrasje me paramendim e jo vetëm e Arjanit, por dhe e pushtetit që ka ngritur një sistem ku paligjshmëria e individëve me pushtet është kthyer në një normë.

Se nuk ka si të ndodhë ndryshe që një polic brenda 3 vitesh nga inspektor policie të gradohet me katapult, fillimisht Nënkomisar dhe më pas Komisar. Të emërohet Shef Droge në Shkodër, e për pak muaj të kalojë Shef Komisariati në Himarë… Dhe pasi gjenden 12 mijë rrënjë kanabisi në zonën e tij dhe me buje të madhe premtohet se do ketë ndëshkim për të e punonjësit e tij për shpërdorim detyre e dyshime për favorizim kultivimi, atij në heshtje të plotë i pushohen hetimet.

Riciklohet në detyrë dhe emërohet Shef Krimesh në Peqin, e pastaj tenton të bëhet Shef i Antidrogës në Elbasan dhe në fund emërohet Shef i SPZ në Drejtorinë e Elbasanit.

Arjan Tase do duhet të ishte duke u përballur me ligjin për atë që ndodhi në Himarë dy vjet më parë ku hektarë me kanabis rezultuan të mbjella e të rimbjella në zonën që ai kishte nën mbikëqyrje, e jo të na kthej si cub,  sipër skafit dhe të vriste nga arroganca dhe harbutëria një engjëll të pafajshëm.

Po sigurisht Arjani nuk është i vetëm! Ai mbrohet, emërohet e promovohet nga ministra, drejtorë policie e pushtetarë me kollare që kanë në dorë të gjitha veglat e pushtetit madje kanë në dorë dhe prokurorinë për ta detyruar t’i pushojë hetimet për parcelat e drogës që iu kapën në territor.

Pas ngjarjes së 16 Korrikut 2022 në Jalë, ku një individ i njohur për përdorimin e lëndëve narkotike plagosi dy turistë, u premtua me deklarata grupesh WhatsApp-i nga Ministri Çuçi dhe Drejtori i Policisë Nano tolerancë zero për ata që do të shkelnin ligjin madje dhe për policët se do të kishin punë personale me Ministrin nëse do vijonin të shkelnin detyrën.

Por thuajse asgjë nuk ndryshoi, përveç disa videove propagandistike që na tregonin policë që ndalonin në mol disa “jet ski” dhe kontrollonin dokumentet.

Asnjë drejtues policie në terren për të drejtuar vetë operacionet për garantimin e sigurisë në plazhet e vendit. Të gjithë drejtuesit madhorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë me pushime, ose fletëlavdërime e dhënie certifikatash vlerësuese për njëri-tjetrin.

Sigurisht kjo nuk është vetëm një histori policësh, por një histori e një sistemi të kalbur institucionesh dhe individësh brenda tyre, që të veshur me pushtetin absolut janë verbuar plotësisht, duke humbur busullën për atë që janë zgjedhur dhe emëruar të bëjnë shërbimin ndaj qytetarit!

Ne prisnim sot, që pas 24 orëve, të dilte dikush me autoritet shtetëror dhe të jepte disa përgjigje:

Zona ku ndodhi ngjarja me pasojë vdekjen e vajzës 7 vjeçare Jonada Avdia mesditën e datës 2 Gushtit 2022 a është në hartën e miratuar për plazhet e lejuara?

Nëse po, a është kjo hapësirë, në hartën e plazhit për ushtruar veprimtari plazhi?

Kujt personi fizik, tregtar apo juridik i është dhënë me qira kjo hapësirë?

Kur është nënshkruar kjo kontratë qiraje për përdorimin e hapësirës së plazhit?

A janë bërë kontrolle në subjektin në fjalë nëse janë plotësuar kushtet dhe kriteret ligjore gjatë kësaj periudhe? Nëse po, kur ka ndodhur dhe çfarë është konstatuar?

Në cilën tipologji plazhi (A, B apo AB) është klasifikuar stacioni i plazhit?

A ka aplikuar subjekt tjetër për marrjen në përdorim të kësaj hapësire për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit?

Përse Bashkia e Himarës, Ministria e Turizmit, Policia e Shtetit nuk vepruan dhe  me mos veprimet e tyre shkaktuan një tragjedi që ishte paralajmëruar nga rastet e tjera?

Çfarë tjetër do duhet të ndodhë që përveç komisarit të policisë, të ndëshkohen ligjërisht e penalisht dhe ata krerë institucionesh që nuk vepruan dhe nuk morën masa në zbatim të ligjit?

Kjo ngjarje tragjike nuk mund të zgjidhet me 15 shkarkime policësh për të qetësuar qytetarët e irrituar dhe pas disa kohësh t’i riciklojmë dhe riemërojmë këta policë në detyra edhe më të mira.

Ka nevojë për një reagim shtetëror e institucional që rastet të tilla të mos përsëriten kurrë më!

 

Video