Skadoi ultimatumi apo Berisha dhe Meta?

8 Gusht 2022, 21:08Pikëpamje SHKRUAR NGA MERO BAZE
Sali Berisha dhe Ilir Meta

Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk u shfaqën sot në protestën e radhës të cilën po vetë e paralajmëruan dhe propaganduan si fundi i afatit që i kishin vënë qeverisë. Edhe pse të dy bashkë dhe secili më vete, bashkë me shtypin e tyre, kërkuan që protesta të ishte politike dhe të përdorej politikisht, sot hoqën dorë vet duke mos shkuar në protestë.

Në të vërtetë protestat janë të gjitha politike dhe tu bësh thirrje protestuesve të mos përdorin ngjarje të tilla të rënda politikisht është marrëzi. Për këtë arsye, ishte e ligjshme që dhe Berisha dhe Meta ta përdornin politikisht këtë ngjarje.

Por të futur në krizën e bashkëpunimit opozitar, ku tani përveç grupit të Bashës e Berishës është dhe grupi i Metës, dhe ku secili dyshon ndaj tjetrit, opozita më shumë e keqpërdori se sa e përdori politikisht ngjarjen tragjike.

Sot kur ata kërcënuan qeverinë, se po i skadon afati i ultimatumit, në fakt u skadoi afati i tyre në krye të protestës.

Për të çuar deri në fund mallkimin që ka prekur opozitën nga cinizmi i Sali Berishës për ta keqpërdorur atë për hallet e tij, ata që drejtuan sot opozitën janë gjithë figurat qesharake të shoqërisë civile të Berishës, d.m.th. militantët më qesharakë, dhe më të papranueshëm në opinionin publik. Natyrisht nuk mund të akuzojmë Berishën se i ka nxjerr ata sot për tu tallur me vdekjen tragjike të vajzës, por duke u tallur me kauzat opozitare dhe duke dashur tu tregojë shqiptarëve, se unë mbretëroj dhe me budallenj nga pas, sot duke ndenjur në shtëpi na la budallenjtë në rrugë dhe e fyeu dyfish protestën dhe ngjarjen tragjike.

Ky është një leksion i përsëritur, se kur vendos të përdoresh politikisht një ngjarje, përtej fuqisë së saj për të qenë kauzë jetike për shoqërinë, mund të dështosh pa nisur. 

Berishën dhe Metën nuk i ngjall dot vdekja tragjike e një vajze, edhe kur ka faj te administrata e shtetit. Nuk i ngjall dot, se ata kanë tridhjetë vjet në politikë duke vjedhur dhe vrarë. 

Ndaj sot bënë mirë që qëndruan në shtëpi. Në fakt qëndruan edhe për faktin se nuk shikojnë dot njëri-tjetrin në sy, dhe aq më tepër nuk vendosin dot kush duhet të ishte në krye. Lajm i mirë ishte se folësit të famshëm të “Foltores” sot nuk i vodhën portofolin. Nuk është pak në këtë kohë krize.

Video