
Shënim - “Jam Ilir Meta unë! O superbudallenj!”. Nëse kësaj fraze të Presidentit Ilir Meta i hiqet fjala “super”, ajo është identike me një frazë që ish-kryeministri Sali Berisha e ka përdorur në foltoren e Kuvendit.
Dallimi është se Meta iu drejtua siç tha “rilindasve mavi, blu e ndërkombëtarë”, ndërsa Berisha u drejtohej deputetëve të Partisë Socialiste, duke shtuar edhe epitete të tjera si “çakej” dhe “nuk tërhiqet Sali Berisha”.
Pra, pas aleancës së shpallur në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, dy armiqtë (para 2009) e shndërruar në miq (2009-2013) e të shndërruar sërish në armiq (2013-2017), e tani sërish në aleatë, Meta po njëson edhe gjuhën me Berishën.
Presidenti nuk përmendi me emra rilindasit ndërkombëtarë që i akuzoi si superbudallenj, por prej vitit 2019 ka shpërthyer herë pas here ndaj Ambasadës së SHBA dhe përfaqësisë së BE-së, herë duke përmendur “bombardimin te Mali me Gropa”, herë Vojo Kushin, e Mic Sokolin.
Ambasadoren amerikane e ka sulmuar së fundmi edhe Sali Berisha, por nëse për Berishën përplasja me diplomatët amerikanë në Tiranë nuk është e re (ajo daton që nga referendumi famëkeq i 1994-s, zgjedhjet e manipuluara të 1996-s), Ilir Metës relativisht i mungon përvoja.
Ai me ndërkombëtarët në përgjithësi dhe me Ambasadën Amerikane në veçanti e nisi në 2019-n dhe si i ri në këtë drejtim duke se po mëson nga Sali Berisha, ndoshta ngaqë mund të ketë të njëjtin hall me ish-kryeministrin; “nongratllëkun”.
Ka disa zëra që thonë se Presidenti është futur në listën e zezë të amerikanëve, por po pritet që të largohet zyrtarisht nga posti për ta bërë publik këtë vendim.
Çështja se si do të largohet Ilir Meta nga posti mbetet për t’u parë. A do të largohet si i shkarkuar, duke vendosur precedentin e parë në historinë e Presidencës shqiptare, apo kur t’i përfundojë mandati? Kjo mbetet për t’u parë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.