Mediat italiane raportuan arrestimin në Itali të Fabricio Lisit, një ish gjeneral i Guardia di Finanza, që bashkë me një grup personash të tjerë, prokurorë dhe biznesmenë, akuzohen për nxjerrje të informacionit të dosjeve hetimore dhe shpërdorim të detyrës.
Emri i Lisit është i lidhur me Shqipërinë në disa faza, që nga viti 1997 kur ai ka treguar se erdhi me mision, më pas në operacionet e monitorimit të parcelave me kanabis dhe së fundmi për një “dhuratë” që fondacioni i tij mori në Vlorë nga një person i akuzuar për trafik droge.
Admirimi për Edi Ramën
Gjenerali i Guardia di Finanza ka treguar eksperiencën e gjatë që e lidh me vendin tonë në një shkrim falenderues për kryeministrin Rama, pasi ai dërgoi infermierët shqiptarë në Itali, në kulmin e pandemisë. Ja si e përshkruan gjenerali italian kryeministrin Rama në shkrimin e botuar në Agjensinë Telegrafike Shqiptare:
“Burri i shtetit, njeriu (ish-ministri) i kulturës, piktori i vlerësuar, sportisti, kryetari i bashkisë i “buldozerëve dhe ngjyrave”, i përdori të dyja këto të fundit për të zbukuruar së pari kryeqytetin, pastaj gjithë vendin. Me veprimin e tij ai diti të interpretojë në mënyrë perfekte dhe me ndjeshmëri të madhe institucionale ndjenjat e popullit të tij, duke gjetur kështu mënyrën më të mirë për t’i thënë “faleminderit” Italisë për ndihmën dhe bujarinë që ajo kurrë nuk i ka kursyer Tokës së Shqiponjave” shkruante Lisi.
Lisi flet edhe për ndihmat e ndërsjellta mes dy vendeve mike, ndërsa e mbyll shkrimin e tij, duke treguar pozicionin që ka pasur si ushtarak i Guardia di Finanza në vitin 1997 dhe më pas në bashkëpunimin me policinë.
“Isha në bordin e avionit në 1997, si shef i Misionit të Guardia di Finanza; që përshkova detrat dhe fluturova mbi qiellin e Shqipërisë; që prita refugjatët në kampet e Mbrojtjes Civile dhe Kryqit të Kuq italian; që kam punuar për një kohë të gjatë edhe në vitet në vijim, së bashku me autoritetet tuaja, policinë tuaj dhe njerëzit tuaj, aq fisnikë dhe të mëdhenj në shpirt” thotë Lisi.
Raporti për shkatërrimin e 98.8% të parcelave me kanabis
Vitet e fundit të karrierës së tij, Lisi vërtet ka qenë në Shqipëri për të bashkëpunuar me policinë shqiptare. Shqetësim kryesor ishte kanabizimi i vendit dhe Guardia di Finanza mori persipër të monitoronte cep më cep territorin shqiptar.
Ishte koha kur ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i kundërvihej çdo akuze me raportin e Guardia di Finanza-s që thoshte se 99.8% e kanabisit në vendin tonë ishte shkatërruar.
Por kundër sukseseve të policisë së Tahirit, atëherë fliste Dritan Zagani, ish-shefi i antidrogës që u fut në burg se i jepte informacione për trafikantët shqiptarë kolegëve të tij italianë. Kur mësoi mbi raportimin e medias italiane që e implikonte Fabrizio Lisin në bashkëpunim me trafikantët e drogës në Vlorë, Dritan Zagani e akuzoi gjeneralin e Guardia di Finanza për arrestimin e tij.
“Një pyetje që do marrë shpejt përgjigje publike me dokumente te provuara, kush është ura lidhëse mes narkotrafikanteve dhe gjeneralit Lisi, kush është ky njeri që me forcet e tij e si hije e zezë ka një rol kyç për gjitha lidhjet e mafies me politikën rilindase dhe liderin e drogës ..! Dhe ta mendosh që unë dhe çështja ime isha një “hiç” për këta të plotfuqishëm mafioze me kollare…!” shkruante Zagani, pasi kishte parë kronikën e Rai Tre, ku trajtohej investimi i Fabrizio Lisit në Shqipëri. Video më poshtë:
Fabrizio Lisi dhe lidhjet e tij në Shqipëri
Televizioni italian “RAI 3” publikoi një seri kronikash mbi trafikun e drogës nga Shqipëria. Në njërën prej tyre, flitej pikërisht për gjeneralin italian të Guardia Di Finanza, Fabrizio Lisi, i cili pas daljes në pension, drejtonte një shoqate kulturore italiane.
Shoqatës i ishin dhuruar mijëra metra katrorë tokë në bregdetin e Vlorës. Sipas gazetarit të “RAI 3”, Valerio Kataldi prona në Vlorë i ishte dhuruar nga “Artur Shehu, një person i hetuar në Itali për lidhjet mes Sacra Corona Unita (mafia italiane) dhe investimet e saj në Shqipëri.
I pyetur nga gazetari italian i RAI3 në telefon, gjenerali tashmë në pension shprehej se në kohën kur i ishte dhuruar prona, nuk kishte ka pasur dijeni për problemet ligjore që mund të ketë pasur dhuruesi.
Por lidhjet e Fabrizio Lisit në Shqipëri pas daljes në pension, janë zbuluar nga një shkrimi i botuar në OCCRP në Mars të vitit 2021. Gazetarja Lindita Çela raportoi për rolin e Ëngjëll Agaçit në investimet e shoqatës kulturore që drejtohej nga Gjenerali në pension i Guardia di Finanza.
“Lisi dhe një anëtar i bordit i quajtur Giampaolo Polverini thanë se Agaçi rreshti së luajturi rol negociator pasi u fut në qeverinë Rama në vitin 2013.
Një tjetër anëtar i bordit të fondacionit, një ish-diplomat italian me emrin Eugenio Campo, i tha OCCRP se Lisi dhe Agaçi vazhduan të mbajnë lidhje në çështjet që lidheshin me fondacionin edhe pasi Agaçi mori postin e nivelit të lartë në kryeministri.
Alessandro Bernadini, që u punësua nga Lisi për të zhvilluar tokën në breg të detit shkon edhe më tej. Ai i tha OCCRP se ‘Lisi nuk bënte dot asnjë lëvizje nëse Agaçi nuk i jepte leje atij’
Anëtari i bordit të fondacionit Francesco Zacxaria kujton se Agaçi i ka shpjeguar se negocimi i një marrëveshje me Shehun ishte mënyra më e mirë për të siguruar tokën e nevojshme për planet e fondacionit për të siguruar të ardhura nga turizmi në komunitetin lokal.
‘Ai tha se në këtë mënyrë fondacioni mund ta merrte pronën’ shprehet Zaccaria për një partner të OCCRP në TG3, një program që jepet në televizionin italian Rai 3.
Agaçi, i cili zyrtarisht ka dhënë dorëheqjen në rolin e tij në fondacion që kur iu bashkua qeverisë, refuzoi të komentonte” shkruajti OCCRP.