Vrasja e Ardit Spahiut, Gjykata belge dënon me 25 vite burg Franc Çopjan, "bossi" i drogës kërkon mëshirë: Jam i ri!

17 Shkurt 2026, 11:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Franc Çopja

Gjykata e Asizës në Bruksel ka dënuar me 25 vite burg Franc Çopjan (Gergely) për vrasjen e Ardit Spahiut, të ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek, në Belgjikë.

Sipas vendimit të gjykatës, Çopja e ka urdhëruar vrasjen nga Dubai. Si porositës i dytë, Mikael Qosja u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa ekzekutori i atentatit, Flobenc Meçja, mori dënim të përjetshëm.

Gjykata dënoi gjithashtu Elton Roçin me 20 vite burg, Elvis Muratajt me 8 vite dhe Eljo Bitrin me 5 vite burg. Ky i fundit, që prej nëntorit 2023 ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe është përfshirë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve. Sipas gjykatës, dënimi më i lehtë për të erdhi për shkak të pranimit të fajësisë, pendesës dhe bashkëpunimit me hetuesit, pavarësisht rreziqeve.

Gjatë gjykimit, Çopja kërkoi “mëshirë” në përcaktimin e dënimit, duke thënë se ishte i ri. “Po kërkoj vetëm mëshirë. Jam i ri”, u shpreh ai.

Si ndodhi vrasja
Ardit Spahiu, 38 vjeç, u largua nga Shqipëria në vitin 2019, duke kërkuar siguri në Belgjikë për shkak të konflikteve mes grupeve rivale kriminale në vendlindje, përfshirë klanin Çopja dhe familjen Alibej, të përfshira në trafik droge. 

Më 27 nëntor 2020, Spahiu u qëllua me armë zjarri sapo doli nga një lokal në rrugën Condor në Molenbeek. Ai u godit nëntë herë dhe humbi jetën në vendngjarje.

Hetimet dhe ekstradimi
Zbardhja e ngjarjes u bë e mundur pas çmontimit të Sky ECC në qershor 2021, që ndihmoi hetuesit të identifikonin të përfshirët.

Franc Çopja u ekstradua në Belgjikë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në dhjetor 2023. Ai kishte deklaruar se ishte vendosur në Dubai për t’u marrë me tregti tekstilesh dhe automjetesh.

Në total, gjashtë persona u shpallën fajtorë nga juria e Asizës së Brukselit si autorë ose bashkëautorë të vrasjes së Ardit Spahiut.


Video