VoxNews ka siguruar foton e shtetasit italian Cosimo Notari Stefano i njohur si "Giorgio", që u arrestua ditën e djeshme nga policia.
Cosimo Notari Stefano ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe dyshohet si pjesë e një rrjeti që mashtronte qytetarë të huaj me investime të rreme në tregjet financiare.
Arrestimi u krye me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa hetuesit e konsiderojnë të ndaluarin pjesë të një grupi të strukturuar që operonte kryesisht me skema të rreme Forex dhe kriptomonedhash, duke shkaktuar humbje të mëdha financiare për viktimat, shumica shtetas italianë.

Hetimet dhe roli i mediave italiane
Hetimi nisi më 9 janar 2026 pas provave të siguruara nga gazetarë italianë të emisionit investigativ Le Iene dhe pas denoncimeve të qytetarëve që raportuan mashtrime dhe humbje të konsiderueshme.
Një shtetas italian u infiltrua në ambientet e call center-it, duke siguruar të dhëna konkrete mbi mënyrën e funksionimit të skemës.
Aktiviteti dyshohet se zhvillohej në godinën Atti Tower, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Tiranë.
Sipas hetimeve, operatorët telefononin qytetarë të huaj dhe i bindnin të investonin në platforma të rreme investimi në Forex dhe kriptomonedha.
Paratë transferoheshin në forma virtuale, ndërsa përfundonin në llogari të kontrolluara nga organizatorët e skemës.
Prokuroria thekson se drejtuesit e aktivitetit kishin marrë masa të forta sigurie, duke vendosur kamera dhe persona vëzhgimi jashtë ambienteve për të sinjalizuar çdo kontroll të mundshëm.
Boshatisja e zyrave dhe ndërhyrja e BKH
Mbrëmjen e 15 janarit 2026, pasi dyshuan për një aksion të mundshëm policor, përgjegjësit boshatisën zyrat në kullë dhe larguan pajisjet elektronike gjatë natës.
Në orët e para të 16 janarit, hetuesit e Byroja Kombëtare e Hetimit kapën në flagrancë gjashtë persona teksa transportonin kompjuterë dhe serverë drejt një ambienti në Bulevardin “Bajram Curri”.
Një pjesë e pajisjeve dyshohet se po tentohej të asgjësohej.
Në kuadër të operacionit u ndaluan edhe dy persona të tjerë, ndërsa në kërkim janë shpallur tre shtetas, mes tyre vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj.
Sipas hetimeve, Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”, që operon në fushën e call center dhe telemarketingut.
Në pranga kanë përfunduar Remir Gjoligaj, David Qerimi, Endri Gjata, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi.
Por kush janë vëllezërit tropojanë-nga punëtor ndërtimi në bos call centerash
Agim Prekaj ishte thjeshtë një punëtor ndërtimi në Itali. Jeta e tij ndryshoi kur njohu Nazen, një operatore e zonja e call centerave në Tiranë dhe më pas një nga menaxheret kryesore e skemave të mashtrimit me vlerë dhjetëra milionë euro.
Naze dhe Agim Prekaj nisën të ndërtonin gradualisht rrjetit e tyre të mashtrimit, i cili do t’u sillte fitime marramendëse.
Prapaskena shkruan se Naze Prekaj njihet në botën e call centerave si truri që qëndron pas ngritjes dhe ‘suksesit’ të rrjetit të mashtrimit të qytetarëve evropianë përmes platformave të rreme.

Paratë e aktivitetit kriminal i kanë investuar në pasuri të paluajtshme në emrin e njerëzve të afërt dhe të besuar.
Vetëm përmes një ndërtuesi me emër në Tiranë dyshohet se kanë pastruar mbi 100 milionë euro.
Ndërkaq, edhe pas goditjes nga SPAK, Agim Prekaj, po hap pika të reja call centerash nëpër Tiranë në emrin e ushtarëve të tij të besuar.
Sekuestrime dhe prova materiale
Gjatë kontrolleve në 28 ambiente banesa, zyra, automjete dhe garazhe autoritetet sekuestruan qindra pajisje kompjuterike, serverë, telefona, karta SIM, dokumente dhe kamera sigurie.
Mes sendeve të sekuestruara ndodhet edhe një automjet luksoz tip Ferrari, që dyshohet se lidhet me organizatorët e skemës.
Hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe për të dokumentuar plotësisht rrjetin e mashtrimit financiar që dyshohet se operonte prej kohësh në Shqipëri./VoxNews