Pamje SKANDALOZE në Parkun Kombëtar të Finiqit, fadromat futen në zonën e mbrojtur!

11 Dhjetor 2025, 16:09Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Finiq, në jug të Shqipërisë

Një skandal i përmasave të mëdha është duke ndodhur në Parkun Kombëtar të Finiqit, në jug të Shqipërisë, ku fadroma të paligjshme janë futur në zonën e mbrojtur dhe po "shqyejnë" qytetin antik, në kërkim të floririt dhe sendeve të tjera me vlerë.

Turistët e huaj kanë mbërritur mesditën e djeshme në Parkun Kombëtar për t'a vizituar atë dhe janë shokuar nga ajo që kanë parë.

Kërkuesit ilegalë të thesareve janë futur me fadroma brenda zonës së mbrojtur dhe po e shkatërrojnë.

"Kërkimi i arit në mënyrën shqiptare. Ju pëlqen të shkatërroni historinë 3000 vjeçare, në Finiq", shkruajnë turistët e huaj, të cilët kanë ndarë dhe pamje alarmante nga ajo që po ndodh atje.

Edhe përse turistët i filmojnë brenda rrethimit të Parkut Kombëtar, fadromat nuk ndalen dhe vazhdojnë punën. Aty, shihet edhe një sipërfaqe relativisht e madhe që është gërmuar me mjete të rënda, në kërkim të floririt.

Qyteti antik i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005.

Foinikia ka një histori të lashtë, e cila ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit.

Sipas Polibit, ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit dhe ngrihej në një kodër në formën e një anijeje të përmbysur.

Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 metër mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës dhe fshati i sotëm ndodhet në rrëzë të kësaj kodre.


Video