Ambasadorja e ShBA-ve në Tiranë ka ftuar në një darkë ish-ministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991 në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Darka është zhvilluar në Shtëpinë Ryerson, teksa nuk kanë munguar as presidenti Ilir Meta apo ish-kreu i PD-së Lulzim Basha, në cilësinë e ish-ministrave të Jashtëm.
Të pranishëm kanë qenë gjithashtu dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, si edhe ish-ministrat Ilir Boçka, Tritan Shehu, Arjan Starova, Paskal Milo, Arta Dade, Kastriot Islami, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Aldo Bumçi, Ditmir Bushati. Ndërsa, kanë munguar Muhamet Kapllani, Alfred Serreqi, Besnik Mustafaj dhe Gent Cakaj.
Ambasada amerikane ka publikuar pamjet e darkës, ku të gjithë shfaqen të buzëqeshur duke biseduar me njëri-tjetrin, duke lënë mënjanë inatet politike.
"Si pjesë e festimeve tona për 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Ambasadorja Yuri Kim pati nderin të ftojë të gjithë Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë që prej vitit 1991, për një darkë të veçantë në Shtëpinë Ryerson. Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e dhëna nga secili prej Ministrave në zhvillimet dhe arritjet historike të Shqipërisë, përfshirë përparimin e tranzicionit nga komunizmi në demokraci, rrugëtimin e Shqipërisë në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, kryesimin e OSBE-së dhe sigurimin e një vendi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mbi të gjitha, ajo falënderoi Ministrat për rolin e tyre në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, duke kujtuar se të gjithë ata – diplomatë amerikanë dhe shqiptarë – kanë fatin që të mund të ndërtojnë mbi punën e paraardhësve dhe detyrimin për të hedhur bazat për pasardhësit e tyre. Përgëzime për miqësinë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë! Gëzuar, edhe njëqind! Grupi ngriti gjithashtu edhe një dolli për të nderuar ata të cilët nuk mundën t'i bashkoheshin mbrëmjes, Muhamet Kapllani, Alfred Serreqi, Besnik Mustafaj dhe Gent Cakaj." - shkruan ambasada amerikane në rrjetet sociale.
Menuja e që ju servir:
-Supë me avokado dhe kastravec
-Sallatë (cikore e mbushur me djathë, gorgonzola)
-Levrek i mbuluar me stika dhe asparag
-Sufle