Vrasja në Kurbin mëngjesin e kësaj të shtune e ekonomistit të firmës së inerteve, Selman Mihana, 70 vjeç dhe plagosja e pronarit, Ardjan Gjeloshi 51 vjeç, u krye nga persona të veshur si policë.
Ata kanë qenë në një automjet “Range Rover” dhe pasi kanë hyrë në godinën e biznesit, kanë thënë “ndal, policia” dhe më pas kanë hapur zjarr me kallashnikov, raporton Klan News.
Dyshohet se autorët e kanë pritur objektivin në vendin e punës për të kryer ekzekutimin.
Në vendin e ngjarjes u gjetën rreth 20 gëzhoja kallashnikovi.
Policia po heton dhe është e fokusuar në tre pista për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë në Gurrëz të Kurbinit.
Pista e parë ku janë përqendruar hetimet ka të bëjë me konfliktet në lidhje me biznesin me pjesëtarë të një fisi nga fshati Pllanë. Por policia nuk ka përjashtuar edhe pistën e hakmarrjes pasi në vitin 2002 Ardian Gjeloshi dhe vëllai i tij, Dritan Gjeloshi qëlluan mbi një kamionçinë dhe lanë të vrare Marie Prengën, infermiere, nënën e 4 fëmijëve, ndërsa u plagosën oficeri i FNSH, Kastriot Prenga dhe Gjergj e Vitore Prenga.
Ndërsa një tjetër çështje ku po kanalizohen hetimet është edhe plagosja e djalit të Ardian Gjeloshaj.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit dhe ka marrë në pyetje punonjësit që ndodheshin në objekt orën e ngjarjes.
Gjithsesi hetimet vijojnë, ndërsa autorët ende mbeten në kërkim.