37-vjeçari Geno (Shpati) Lena dhe 34-vjeçari Hakim Xhezo i njohur si "Bushi", të cilët u vranë ditën e sotme në Vlorë, nuk janë emra të panjohur për Policinë.
Shpati Lena së bashku me vëllain e Hakim Xhezos, Ermal allias Eduart Xhezo janë autorët e vrasjes së biznesmenit Arben Beqiraj, i njohur ndryshe si “Arbeni i Çeçesë”, ngjarje kjo e ndidhur më 4 Gusht të vitit 2019.
Shpati Lena u arrestua më 23 Mars të këtij viti nga Policia, teksa më pas u lirua nga Gjykata. Edhe viktima tjetër Hakim Xhezo i njohur si "Bushi" ka qenë më herët i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Si ndodhi ngjarja në 2019
Gazmend Alushi, i cili paguhej 100 mijë lek të vjetra në muaj nga Ermal allias Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kalit të tij, është dhunuar me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokal. Gazmend Alushi e kishte nxjerrë shëtitje kalin në plazh, teksa Arben Beqiraj është bezdisur nga zhurma e kalit dhe pasi ka debatuar me Alushin e ka goditur këtë të fundit.
Fill pasi ka shpëtuar nga rrahja, Gazmendi ka shkuar në banesën e tij, ku aty i kishte shkuar Ermali duke e pyetur se kush e kishte rrahur, dhe Alushi i ka pohuar se ishte dhunuar nga “Arbeni i Çeçesë”. Fill pas kësaj, Ermal Xhezo, ka mobilizuar shokët e tij si Shpati Lena dhe kunatin e tij Ariel Kingji, ku të gjithë janë armatosur me automatikë dhe pistoleta, duke shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqiraj, për t'u sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Ermal Xhezos.
Teksa kanë shkuar për tu sqaruar, janë ulur 3 minuta në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke sjellë vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e djalit të tij dhe Nesim Hodaj. Kjo ngjarje tronditi qytetin e Vlorës në pikun e sezonit turistik, ndërkohë që personat e përfshirë në këtë ngjarje kriminale si Ariel Kingji, Kristi Dolli dhe Shpati Lena u arrestuan nga policia.