Pse SPAK po godet vetëm majtas? Kraja nga SHBA: Nuk veprojmë me listë, ja për çfarë u dakordësuam me BKH

5 August 2022, 18:54Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Pse SPAK po godet vetëm majtas? Kraja nga SHBA: Nuk veprojmë me
Kreu i SPAK, Arben Kraja

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) u kritikua para pak kohësh nga kryeministri Edi Rama dhe të tijët se po godet vetëm njërin krah (mazhorancën) dhe nuk po heton mbi dyshen Sali Berisha-Ilir Meta.

Por kreu i Strukturës së Posaçme, Arben Kraja, në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se institucionit që drejton nuk vepron në bazë të listave apo radhës por mbi fakte dhe prova.

Kraja shton më tej se janë dakordësuar dhe me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit që të rrinë sa më larg këtyre opinioneve që shprehen qoftë nga partitë politike apo media të ndryshme lidhur me çfarë duhet të bëjë dhe çfarë nuk  duhet të bëjë SPAK.

Nga opozita ka kritika ndaj SPAK se nuk po veprohet ndaj politikanëve të lartë. Nga ana tjetër kryeministri Rama ka përmendur faktin se ju po godisni vetëm majtas. A e vë kjo institucionin që ju drejtoni në njëfarë lloj trysnie politike?

Kraja: Ne veprojmë bazuar në ligj. Opinioni publik ka të drejtën e  tij të shprehet, partitë politike po ashtu, secili e shpreh sipas interesit të tij. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ne nuk veprojmë në bazë të një liste të caktuar apo radhe të caktuar. Ne veprojmë në bazë të provave që administrohen nga hetimi për ato dosje penale që kemi. Kur arrihet të provohet fajësia e dikujt marrim masat për ti dërguar për gjykim, kjo është puna jonë. Ajo që kemi rënë dakord si grup prokurorësh, përfshirë dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, është që të rrimë sa më larg këtyre opinioneve që shprehen qoftë nga partitë politike apo media të ndryshme lidhur me çfarë duhet të bëjë dhe çfarë nuk  duhet të bëjë SPAK. Secili prokuror ka dosjet e tij përpara, është i pavarur për të vendosur për to, është i detyruar të mbledhë prova, të japë zgjidhje ligjore dhe e rëndësishme është të jetë i pavarur dhe objektiv në vendimmarrje.

Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Arben Kraja, ndodhet këto ditë për një vizitë në SHBA.


Video