Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i është drejtuar me një letër, Prefektit të Vlorës, Bashkisë Himarë dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, tre ditë pas tragjedisë në plazhin Potam ku u vra 7-vjeçarja Jonada Avdia nga skafi që drejtohej nga komisari Arjan Tase.
Nanao i akuzon këto institucione se nuk e kanë informuar periodikisht mbi masat e marra, lejet dhe licensat, si dhe shkeljet dhe moszbatimet e ligjit nga çdo subjekte publik apo privat. Ai iu kërkon institucioneve të tjera bashkëpunim dhe angazhim konkret në zbatimin e të gjitha detyrimeve ligjore të përcaktuara në legjislacionin shqiptar.
Sipas tij, Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme dhe as nuk mund të jetë e vetmja përgjegjëse, nëse hallkat ndërinstucionale nuk bashkëpunojnë dhe nuk zbatojnë ligjin.
Letra, e cila është shpërndarë sot, i është drejtuar për dijeni Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
“Siguria në det, plazhe dhe ujërat e brendshëm në thellësi të territorit shqiptar, është prioritet i veprimtarisë së institucioneve të vendit tonë. Për të garantuar dhe siguruar jetën e qytetarëve dhe të pushuesve, përgjatë sezonit turistik dhe jo vetëm, kërkojmë bashkëpunimin dhe angazhimin e të gjitha hallkave institucionale për të monitoruar, kontrolluar zbatimin e ligjit dhe të akteve nënligjore, në fushën e turizmit.
Misioni i Policisë së Shtetit është të garantojë jetën e qytetarëve në çdo situatë apo pjesë të territorit shqiptar dhe në zbatim të ligjit është e gatshme të ofrojë gjithë mbështetjen dhe shërbimet e saj.
Policia e Shtetit, si aktor i rëndësishëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, do të vijojë të ndërmarrë dhe të planizojë shërbime policore 24 në 24 orë, në të gjitha territoret e plazheve dhe zonave turistike.
Për të arritur rezultatet e duhura, policia e shtetit duhet të informohet periodikisht mbi masat e marra nga institucionet përgjegjëse (detyrim i cili nuk rezulton të jetë zbatuar nga institucionet drejtpërdrejtë përgjegjëse, për asnjë rast), të cilat lejojnë licensimin për zhvillimin e aktiviteteve dhe turizmit detar, pajisjen me leje drejtimi të mjeteve motorike lundruese, përcaktimin e zonave të ndaluara për lundrim dhe ankorim të mjeteve lundruese, si dhe të çdo aktiviteti tjetër që lidhet me hapësirën detare dhe jo vetëm, të informohen të gjitha organet ligjzbatuese për çdo shkelje dhe moszbatim të ligjit nga çdo subjekte publik apo privat. Të merren masa administrative dhe jo vetëm ndaj çdo shkelësi të ligjit.
Përsa më sipër, kërkohet bashkëpunim dhe angazhim konkret në zbatimin e të gjitha detyrimeve ligjore të përcaktuara në legjislacionin shqiptar, kërkojmë një bashkëpunim efikas me strukturat në varësi të ministrisë përgjegjëse për turizmin dhe mjedisin, ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, inspektorateve që mbulojnë fushën e turizmit dhe inspektoratit shtetëror teknik dhe industrial, si dhe njësive të qeverisjes qendrore e vendore, në marrjen e masave dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga çdo institucion shtetëror. Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme dhe as nuk mund të jetë e vetmja përgjegjëse, nëse hallkat ndërinstucionale nuk bashkëpunojnë dhe nuk zbatojnë ligjin”, thuhet në letrën e Drejtorit të përgjithshëm të Policisë.”-shkruan Nano