Policia e Shtetit ka vendosur një shumë prej 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion të vlefshëm në kapjen e autorit të plagosjes së policit Edlir Alleshi mbrëmjen e sotme në Tiranë.
Në një komunikatë për mediat, policia thotë se tashmë forcat “Operacionale” të mbështetura nga RENEA po kontrollojnë zonën për kapjen e autorit, i identifikuar si 42-vjeçari Klerent Bozhanaj.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klerent Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A.
Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.