Nuk i ndalon postobllokut të Policisë dhe qëllon me armë, operacion për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë në Shkodër

9 Mars 2026, 16:31Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një shtetas ka qëlluar në ajër me armë zjarri në Shkodër, teksa policia i bëri me shenjë të ndalonte makinës me të cilën ai udhëtonte.

Sipas burimeve të policisë bëhet fjalë për shtetasin B.B i cili është në kërkim edhe për vepra të tjera penale.

Dhjetra forca policia kanë mbërritur në vendngjarje duke rrethuar zonën, ndërsa vijon operacioni duke blinduar zonën me efektivë dhe masa të rrepta sigurie.

Njoftimi i Policisë

Rreth orës 15:10, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, një automjeti me të cilin lëviznin 2 shtetas, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes dhe ka kryer manovra të rrezikshme me automjet.

Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në këtë automjet, duke u larguar ka qëlluar një herë, në ajër, me armë zjarri, dhe është larguar.

Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e automjetit, inicialet e të cilit nuk bëhen të ditura për momentin, për shkak të konfidencialitetit të hetimit.

Ndërkaq, vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit në këtë automjet.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e rastit.


Video