Nga Durrësi në Gjirokastër për të trafikuar emigrantë ilegalë drejt vendeve të BE-së, arrestohet 23-vjeçari!

9 Mars 2026, 15:43Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Trafikonte klandestinë nga vendet e treta drejt atyre të BE-së, arrestohet 23-vjeçari nga Durrësi.

Policia e Gjirokastrës njoftoi sot se i riu F.D., u kap gjatë aksionit të koduar “Tranzit” dhe brenda në mjetin e tij u gjetën 5 emigrantë të paligjshëm.

I riu dyshohet se është i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm dhe destinacioni i parë i tij ishte Tirana, para se t’i dërgonte në brezin kufitar në veri të vendit.

Njoftimi:

“Operacioni i koduar “Tranzit”, i zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë së Kufirit të Gjelbër në Kakavijë, çoi në kapjen në flagrancë të të riut teksa transportonte emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Shtetasi me iniciale F. D., 23 vjeç, banues në Durrës, u ndalua në vendin e quajtur “Ura e Glinës”, ndërsa po transportonte me një automjet tip Volkswagen pesë emigrantë, të cilët kishin si qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve drejt vendeve të BE-së”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Hetimet paraprake tregojnë se i riu dyshohet se po i transportonte emigrantët kundrejt pagesës, drejt Tiranës.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi automjetin me të cilin po kryhej transporti si dhe telefonin celular të të arrestuarit, që do të shërbejnë si prova materiale në hetim.

“Operacioni u zhvillua në vijim të kontrolleve dhe hetimeve të intensifikuara për parandalimin dhe goditjen e rasteve të transportimit të emigrantëve nga vendet e rajonit MENA, të cilët përpiqen të hyjnë në mënyrë të paligjshme në vendet e Bashkimit Evropian”, bëri me dije policia vendore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme ligjore.


Video