Në përfundim të një procesi konkurrues dhe transparent për përzgjedhjen e Zëvendësdrejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Drejtori i BKH-së ka emëruar z. Mentor Çuku në këtë detyrë.
Ky emërim është realizuar në zbatim të pikës 3 të nenit 36 të Ligjit nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar, sipas të cilit Zëvendësdrejtori emërohet nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pas zhvillimit të një procesi të hapur dhe transparent përzgjedhjeje. Mandati i Zëvendësdrejtorit është 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Për këtë pozicion aplikuan 11 kandidatë, të cilët plotësonin kriteret ligjore dhe profesionale të përcaktuara për këtë funksion. Të gjithë kandidatët u karakterizuan nga një nivel i lartë i përgatitjes profesionale, përvojës në fushën e hetimit dhe aftësive të spikatura drejtuese, çka e bëri procesin e përzgjedhjes veçanërisht sfidues.
Z. Mentor Çuku është hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe zotëron një përvojë të gjatë dhe të konsoliduar profesionale në hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Gjatë karrierës së tij ai është dalluar për integritet të lartë profesional, aftësi drejtuese dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Ai është vëllai i Kryekomisarit Artan Cuku, i rënë në krye të detyrës dhe i shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Mentori është gjithashtu një nga hetuesit e parë të BKH-së dhe aftësitë e larta profesionale e kanë shtyrë që të garojë për të pasuar Aida Hajna në krye të BKH.
Po ashtu, ai është një ndër oficerët që garoi një vit më parë bashkë me Joni Ketën, Maksim Begajn, Armando Sallën, Alban Kalanë, Julian Markon dhe Erjon Temën, për postin e zëvendës drejtuesit të Byrosë Kombëtare.
Mentor Cuku ndjek rrugën e të vëllait, dëshmorit Artan Cuku i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në hyrjen e pallatit ku banonte, tetë vite më parë në zonën e njohur si “Rruga e Kosovarëve” në Tiranë.
Artan Cuku ka mbajtur poste te rëndësishme në Policinë e Shtetit, si shef Krimesh, shef Komisariati, zëvendës drejtues në disa qarqe, etj, më shumë se një dekadë e gjysmë në shërbim të qytetarëve, deri ditën që u vra me pesë plumba, mbrëmjen e 8 Prillit 2017.
Ai njihet si ndër drejtuesit më të njohur dhe që kishte krijuar rend dhe siguri në polici, ndaj dhe kishte marrë nofkën “Drejtor i Hekurt”.