
Ish-kandidati për kreun e PS në Durrës Ardit Kërtusha ka përgënjeshtruar Policinë e Shtetit, e cila e njoftoi plagosjen e tij, si një krim pas konfliktit të çastit.
31-vjeçari pretendon se atij i kanë bërë atentat ku autori ka qenë i maskuar dhe i përgatitur me dy pistoleta. Ai tregon se pistoleta e parë e autorit është bllokuar, ku më pas ai ka nxjerrë të dytën nga çanta dhe ka qëlluar mbi të ku një prej plumbave e ka zënë në këmbë.
“Nga jashtë lokalit ka ardhur një djalë i ri, i cili mbante në fytyrë një maskë anti-covid, me syze të errëta dhe kapele në kokë. Sapo është afruar tek tavolina ku isha, atentatori ka nxjerrë një pistoletë dhe qëlloi në drejtimin tim. Por, pistoleta u bllokua pasi ka qëlluar vetëm 1 herë, ndërsa atentatori futi dorën në një çantë që mbante me vete, nga ku nxori një pistoletë të dytë. Unë u largova me shpejtësi sapo pash që pistoleta u bllokua. Ai më ndoqi dhe qëlloi edhe dy herë të tjera. Një prej plumbave më kapi në këmbë. Është e paqartë se përse Policia e Durrësit nxitoi të shpërndante një mjegullnajë për dinamikën e ngjarjes, duke e konsideruar si një “konflikt të çastit”,-deklaroi Kërtusha për "Abc".
Ngjarja ndodhi pasditen e kësaj të hëne në lokalin 'Zins', në pronësi të reperit Noizy. Deri më tani policia nuk ka dhënë detaje për autorin, por po punohet për arrestimin e tij. Gjithashtu, blutë e Durrësit kanë sekuestruar dhe pamjet filmike te bizneseve përreth për te zbuluar itinerari e autorit.
Ardit Kërtusha pretendon se ka një konflikt prej rreth rreth një muaj për çështje pronësie, teksa më herët kanë pasur dhe përplasje fizike.
Ardit Kërtusha kandidoi për kryetar të PS Durrës në 2020 dhe më pas u tërhoq nga gara. Para zgjedhjeve të 25 prillit, ai iu bashkua Partisë Demokratike dhe zhvilloi takime me Lulzim Bashën dhe u paraqit nga ky i fundit si një socialist i zhgënjyer nga qeverisja e Edi Ramës. Ardit Kërtusha ka mbajtur dhe postin e kreut të FRESSH në qytetin bregdetar.