
Komisioni i Rithemelimit mori të hënën kontrollin e grupit të medias të Partisë Demokratike, ku u larguan nga grupi ata që njiheshin si mbështetës të Bashës. Lufta për kontrollin e rrjeteve të komunikimit nuk është mbyllur ende dhe ajo vijon me përpjekjet për të marrë nën kontroll edhe faqen zyrtare të partisë në Facebook dhe kanalin zyrtar në Youtube.
Megjithatë, më shumë se lëvizje të Komisionit të Rithemelimit, largimi i disa emrave nga zyra e medias, që prej kohësh është konsideruar e mbingarkuar ka qenë një vendim që Lulzim Basha ja ka trashëguar pas dorëheqjes, Enkelejd Alibeajt.
Voxnews.al konfirmon se ideja për të shkurtuar zyrën e medias po qarkullonte prej kohësh dhe Komisioni i Rithemelimit thjesht e ka shfrytëzuar nevojën për shkurtime në burime njerëzore në këtë sektor për të larguar prej andej ‘bashistët’.
Ndër të parët që ka komentuar këtë akt ka qenë deputeti Agron Gjekmarkaj, i dorëhequr pas 6 marsit nga të gjitha funksionet politike brenda Partisë Demokratike. Ai ndalet te largimi i një gazetari nga kjo zyrë dhe thotë se mund të shkonte edhe më keq, duke nënkuptuar këtu vrasjen, pas heqjes së një paraleleje me Ana Politovskajan.
“Ne e dimë që partia “jonë” e ka zët lirinë e shtypit, ajo ka burgosur dhe gazetarë, ka qerasur me djegie edhe gazeta ndaj akti putinian ndaj Patrikut është një detaj po premtues ama, për të uruar bashkim që po na vjen bashkë me pranverën. Patrik Sadikaj është me fat, Anna Politkovskayas i ka shkuar me keq. Sali Berishës, që prej kohësh i mungojnë aktet fisnike i takon ta kthejë në punë dhe t’i kërkojë falje, por zor ta bëje. Patriku është demokrat i cili largohet nga puna për bindje politike brenda kësaj partie”, thotë ai.