
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro shprehet se lufta Rusi-Ukrainë do të ketë pasoja negative tek sezoni turistik veror.
Kumbaro tha se këtë vit do të ndihet mungesa e turistëve rusë, ukrainas dhe bjellorusë dhe sipas saj, vetëm nga Ukraina pritej të vinin mbi 130 mijë turistë. Ministrja shton më tej se shpreson që ardhja e turistëve nga vende të tjera të zbusë efektet e këtyre pasojave.
"Pa dyshim. Në fakt na ndryshuan shumë shpejt parashikimet e muajit janar, por edhe të pjesës së parë të shkurtit ku përgatiteshim për një numër shumë të lartë turistësh këtë vit. Nëse do t’i referohemi kësaj pjese të tregut të turizmit që na vinte nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia, mund të them që vetëm nga Ukraina prisnim rreth 130 mijë turistë. Një pjesë e mirë e të cilëve madje edhe kishin parapaguar. Sigurisht kjo që ndodhi e desekuilibroi totalisht këtë pjesë të tregut, përfshirë të tre vendet dhe nuk mund të parashikojmë më asgjë. E rëndësishme është që kjo luftë, ky konflikt të mbarojë sa më shpejt dhe me sa më pak kosto njerëzore. Ndërsa turizmi do ta rimarri veten. Por nga ana tjetër kemi edhe disa riorientime të flukseve turistike, të cilat duket interesante që kanë të bëjnë me turizmin që vjen nga Italia, nga Franca, që përgjithësisht kanë qenë flukse që shkonin drejt Greqisë, ka një riorientim drejt Shqipërisë." tha Kumbaro për Zërin e Amerikës