Greqia refuzon kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e “të tmerrshmit” të Beratit

25 Nëntor 2022, 10:19Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Greqia rrëzon kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Lulzim Cakës, i njohur si “i tmerrshmi” i Beratit. Vendimi është dhënë më 26 shtator nga gjykata e lartë greke.

Kush është Lul Caka dhe hakmarrja e tij për nënën

Lulzim Caka u rekrutua nga banda e Karbunarës, e cila drejtohej nga Bujar Sulaj (Loshi i Karbunarës), djali i tezes së tij. Më 26 mars 1996, Caka rishfaqet në skenë, kur akuzohet se ishte një prej atentatorëve të dy shefave të krimit të Beratit dhe Kuçovës, tek Ura e Samaticës. Oficerët e policisë arritën të shpëtonin, por makina e tyre u dogj nga atentatorët. Por më tepër se nga policia, Caka do të gjurmohej dhe sulmohej gjatë këtyre viteve nga hasmit e tij. Më 20 korrik 1997, Lulzim Caka, bëri hapin e gabuar të përfshirjes në hakmarrjen mes fisit të palëve dhe Yzeirëve në fshatin Rërëz në Berat.

Duke qenë njeri i afërt i fisit të Çalëve, Caka u implikua në vrasjen e Nezir Yzeirit, kunatës së tij Ashime dhe djalit të adoptuar të saj, Ilir Yzeiri. Ndërkohë në qershor 1998, ai hapi një tjetër hakmarrje, kur vrau Lulzim Eminin, vëllain e “Miles”, të fortit të Fierit.  Pas një ndjekjeje të gjatë të policisë, ai u arrestua dhe u dënua me 25 vjet burgim për këtë vrasje. Por hekurat e burgut të Lushnjës nuk ishin tepër të sigurt për një vrasës si Caka. Më 6 janar 2001, nëpërmjet një sharre, ai arriti të priste hekurat dhe të largohej nga qelia për t’u hakmarrë për përdhunimin dhe vrasjen e nënës së tij, Xhevries 56-vjeçare dhe vëllait Bardhoshit.

Dy personat e dyshuar për krimin e fundit, Valter Bega, 21 vjeç, dhe Maringlen Cami, 22 vjeç, u vranë më 22 mars 2001 prej tij. Në dhjetor të vitit 2001, ai u kap në Foxhia të Italisë. Ndërsa në vitin 2003 u ekstradua në Shqipëri, ku vuan dënimin.

Si u përdhunua e ëma e Lul Cakës

Fatmir Emini, i njohur ndryshe me emrin Mile Çami ishte një emër i njohur në botën e krimit. Ai ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e nënës së Lul Cakës, një tjetër emër i njohur në botën e krimit. Prokuroria do deklaronte: “Në vitin 1999, i dënuari Lulzim Caka është arrestuar dhe qëndronte në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Fier. Më 1 korrik të këtij viti, ka ardhur në Fier nëna e Lulzim Cakës, Xhevrije Caka, për të takuar të birin, bashkë me dhëndrin e saj. Paraditen e kësaj date, pranë Komisariatit të Policisë Fier po lëviznin me një autoveturë tip ‘Benz’ të pandehurit Artan Yzeiri dhe Bledar Yzeiri e disa persona të tjerë të dyshuar.

Në momentin që e ndjera Xhevrije Caka është afruar pranë Komisariatit, për të takuar djalin e saj, është afruar aty dhe automjeti i të pandehurve. Më pas, Artan e Bledar Yzeiri, në bashkëpunim me persona të tjerë kanë rrëmbyer të ndjerën Xhevrije Caka dhe e kanë futur me forcë në automjetin e tyre”, thuhej në dosjen e Prokurorisë. 56-vjeçarja u gjet e masakruar në Seman. Për këtë ngjarje, policia në atë kohë arrestoi Fatmir Eminin (Milja), i cili më pas u lirua për mungesë provash. Policia dyshoi për Milen, sepse Lul Caka në qershor të vitit 1998 i kishte vrarë atij vëllain, Lulzim Eminin dhe mësohej se këtë e ka bërë për hakmarrje.

Por vrasjen e së ëmës, Luli do ta paguante me gjakun e dy prej atentatorëve të saj. Të dielën e 17 qershorit, rreth orës 18:00, ai së bashku me dy persona të tjerë vret në vendin e quajtur ‘Ura e Hoxharës’ pranë bregdetit, në derdhjen e lumit Seman, Alket Hamitin 26 vjeç, nga fshati Fermë-Çlirim dhe Dashamir Jahon, 28 vjeç, nga fshati Savër me banim në Tiranë, teksa këta dy të fundit ishin duke shkuar me skaf në Itali. Para kësaj vrasjeje, ai kreu dhe një tjetër krim në Fier, duke u hakmarrë mbi tre viktimat e fundit për vrasjen barbare të së ëmës.

Krimet e Lul Cakës

Lulzim Caka u gjet fajtor nga Apeli i Vlorës për tentativën e vrasjes së Gani Malushit dhe Ilir Ngresit. Ai u dënua me 25 vjet burg në dhjetor të 2012. Lulzim Caka, njihet edhe si një nga krerët e bandave kriminale që ka vepruar në Shqipëri, kryesisht në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës.

Gjatë viteve 1995-2000 ai ka qënë i akuzuar për vrasje për shkak të cilësive të veçanta. Ngjarja për të cilën u dënua ka ndodhur në muajin mars të vitit 1998, ku Caka i ka bërë rezistencë forcave të policisë. Caka, i sapoliruar nga burgu me një manipulim dokumentesh i ishte kthyer aktivitetit kriminal. Pas një informacioni për vendosjen e tij në fshatin Pobrat, është angazhuar e gjithë Drejtoria e Policisë së Beratit. Forcat e policisë, të kryesuara nga Gani Malushi dhe Ilir Ngresi (që kanë humbur jetën nga atentate më pas), rrethojnë Cakën së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij. Por, të armatosur me kallashnikov, ata i bëjnë për rreth gjysmë ore qëndresë policisë.

Caka u kap i plagosur, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Xhevahir Çela, mbeti i vrarë. Pas kësaj ngjarjeje, ai akuzoi shtetin që dha urdhër për eliminimin e tij, ndërsa nga hetimet rezultoi se “i forti” i Beratit kishte qëlluar edhe ndaj shokut të tij.

Video