Goditja e rrjetit shqiptaro-malazez të kokainës, gazetarja jep detaje

24 Nëntor 2022, 23:04Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Goditja e rrjetit shqiptaro-malazez të kokainës

Policia shqiptare dhe malazeze goditën të enjten një rrjet të trafikut të kokainës që vinte nga Amerika Latine në portin e Tivarit në Mal të Zi e përzier me pleh kimik dhe përpunohej në Shqipëri.

Sipas burimeve jozyrtare policore 15 arrestime janë kryer në Shqipëri, në Tiranë dhe në Fier, ndërkohë që mediat malazeze kanë folur për disa arrestime edhe në Mal të Zi.

Kokaina dyshohet se ishte e fshehur në thasë me pleh artificial që mbërritën në portin e Tivarit në korrik të këtij viti dhe më pas u transportuan për në Shqipëri.

Sipas burimeve policore shqiptare me ndihmën e DEA-s amerikane strukturat ligjzbatuese malazeze dhe shqiptare mbajtën në vëzhgim për tre muaj pritësit e ngarkesës që rezultuan në zonën e Frakullës së Madhe në Fier, në Shqipëri.

Gazetarja Klodiana Lala në emisionin “Të paekspozuarit”, tha se bëhet fjalë për një ngarkesë rreth 400 kilogramë pleh kimik të përzier me kokainë, që ka ardhur nga Mali i Zi në Shqipëri, e cila pas pastrimit mund të shkoj në 200 kg të pastër droge.

“Është aksion i policisë shqiptare dhe malazeze me mbikqyrjen e DEA. Ka patur sinjalizim për një sasi drogë që do të vinte me pleh kimit. Viktor Cervenaku, ish-kryetari i komunës Frakull, e kishte porositur në Kolumbi.

Ka ardhur në Portin e Tivarit në Mal të Zi, pastaj në Fier. Ka qenë dorëzim i kontrolluar, policia ka patur informacion por nuk ka ndërhyrë deri në pikën fundore. Viktor Cervenaku kishte përshtatur shtëpinë e tij si laborator.

Ky është rasti i parë që kapet sasi droge e përzierë me plehun kimikë. Nuk dihet sasia përfundimtare e kapur. Personi i arrestuar punon në një institucion shtetëror.

Droga në shtëpinë e tij shkonte me kamion ushtrie, nëse pastrohet mund të shkoj në 200 kg të pastër”, tha gazetarja.

Video