Laborator kokaine në shtëpi, historiku i përballjes me ligjin i Viktor Çervanakut

24 Nëntor 2022, 22:50Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Viktor Çervanaku

Viktor Çervanaku, në shtëpinë e të cilit u zbulua një laborator për përpunimin e kokainës, është një emër i njohur për opinionin publik, jo vetëm në Fier, por edhe më gjerë.

Për shumë vite ai ka qenë kryetar i Komunës Frakull të Fierit, nën siglën e Partisë Socialiste.

Në vitin 2006 ai është kallëzuar penalisht nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive për “refuzim për deklarim”, por ai shpëtoi nga ndjekja penale për shkak të një amnistie të miratuar nga Parlamenti në fund të atij viti.

Në vitin 2008, Viktor Çervanaku ka qenë objektiv i një atentati të dështuar nga R. Kapaj. Ky i fundit ishte acaruar me kryekomunarin e Frakullës, pasi nuk arrinte të merrte një çertifikatë, referuar raportimeve mediatike të kohës.

Në vitin 2010 ai shoqërohet nga Policia e Fierit, nën dyshimet se qarkullonte me një automjet të trafikuar nga Greqia. Në atë kohë, Çervanaku udhëtonte me një Range Rover me targa të vendit fqinj.

Në një reagim për mediat në atë kohë, Çervanaku pranoi se ishte shoqëruar në polici dhe kishte sqaruar çështjen e mjetit.

Në vitin 2014, djali i tij, Anxhelino Çervanaku përfshihet në një përpleshje me armë, ku mbetet i plagosur shtetasi B.M.

Djali Çervanaku arrestohet vetëm 6 vjet më pas, në vitin 2020, në Tiranë. Sipas njoftimit të policisë, Anxhelino Çervanaku u ndalua, pasi ndaj tij rëndon akuza e “vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë.

Viktor Çervanaku vijonte të ishte aktiv në politikën lokale të Fierit, edhe pse pas vitit 2015, me shkrirjen e komunave, ai nuk ishte më drejtues i njësisë vendore.

Sipas të dhënave të “Listës së Pagave”, të rrjedhura në publik vitin e kaluar, rezultonte se Viktor Çervanaku ishte Drejtor i Administratës tek Operatori i Sistemit të Transmetimit.

Ndërkohë, kryeplaku i Frakullës deklaroi mbrëmjen e kësaj të enjteje, pas zbulimit të laboratorit të drogës, se, në dijeninë e tij, Viktor Çervanaku është drejtor në Bashkinë e Tiranës.

Video