EMRAT / Dhunimi i të miturit gjatë shoqërimit, pezullohen tre efektivë të Policisë në Tiranë

9 Maj 2025, 21:00Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Tre efektivë të policisë në Tiranë janë pezulluar nga detyra pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike gjatë shoqërimit të një 14-vjeçari në Komisariatin Nr.1 në kryeqytet.

Rasti u denoncua nga Komiteti i Helsinkit në Tiranë, pas ankesës së prindërve të minorenit si dhe u pasqyrua në disa media.

Efektivët e pezulluar dhe me masë detyrim paraqitje janë Rasim Dogjani, Durim Murrja dhe Xhorxhina Beqo.

Njoftimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore:

Në vijim të hetimeve lidhur me procedimin penal të vitit 2025, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ekzekutuar Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj 3 punonjësve të policisë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare” në bashkëpunim dhe kundër fëmijëve.

N/Komisar Xh. B., me detyrë Specialiste / Përgjegjëse turni në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë.

Inspektor D. M., me detyrë Trupë Shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë.

Inspektor R. D., me detyrë Trupë Shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë.

Caktimi i masave të sigurimit personal u bë i mundur pasi me datë 12/04/2025 këta punonjës policie dyshohet se kanë kryer veprime arbitrare gjatë shoqërimit të shtetasit të mitur E. G.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].

Video