
Policia e Korçës ka proceduar denoncuesin e një krimi të pretenduar zgjedhor, pasi nuk ka pranuar të bashkëpunojë me ta, pasi videon ia kishte dërguar portalit "JOQ Albania".
Përmes videos, ai filmoi shoqëruesin e kandidatit të Partisë Socialiste, teksa e pyeste se "çfarë bën aty" dhe "pse bleni vota". Ndërsa ai i përgjigjej se ndodhej në një takim dhe se mund të takonte personalisht edhe kandidatin e PS-së nëse kishte dyshime.
Por denoncuesi vendosi të largohej duke u thënë se "do i çojë në SPAK". Megjithatë, policia e Korçës thotë se pas verifikimeve nuk është hasur në dëshmi të kryerjes së krimeve zgjedhore, por ka proceduar denoncuesin për "pengim të zbardhjes të së vërtetës", pasi nuk ka bashkëpunuar me ta.
Njoftimi i Policisë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë porsa janë njohur me një postim në rrjetet sociale ku në dy video të postuara pretendohej se një kandidat për deputet i subjektit politik Partia Socialiste ka qene duke u ofruar shuma parash ne këmbim të votave banorëve të fshatit Podgorie-Maliq, menjëherë nisën punën për verifikimin e rastit.
Si rezultat i veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, proceduan penalisht për veprat penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", për shtetasin A. P, 34 vjeç, banues në Podgorie, Maliq, me precedent të mëparshëm kriminal dhe i dënuar për vepra penale në fushën prodhimit dhe shitjes së narkotikeve dhe të krimeve kundër personit.
Nga veprimet hetimore të kryera, kontrollet dhe deklarimet e marra shtetasve të cilët shfaqeshin në këto pamje dhe kandidatit për deputet shtetasit A.J, nuk u konstatua ndonjë veprim i kundraligjshëm që ka të bëjë me shitblerjen e votave.
Gjithashtu, nga analiza e pamjeve filmike dhe nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. P., ka qenë personi i cili ka kryer regjistrimin audio-video të shtetasit që shfaqet në ato pamje.
Shtetasi A. P., ka refuzuar vënien në dispozicion të Policisë me qëllim ekspertimin të pajisjes me të cilën ka kryer ketë regjistrim, duke u bërë shkak për pengimin e hetimeve të mëtejshme nga strukturat ligjzbatuese.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë garanton qytetarët dhe subjektet politike se strukturat e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin, parandaluar dhe goditur paligjshmëritë me qëllim krijimin e një ambienti akoma dhe më të sigurt.