Një administrator i një farmacie dhe një farmaciste janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi shisnin medikamente mjekësore të kontrabanduara.
Në pranga janë vënë shtetasit Ermir Haxhiaj 44 vjeç, administrator farmacisë dhe Geriana Bendaj 27 vjeçe, me profesion farmaciste.
"Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë në administrim të Ermir Haxhiajt dhe me farmaciste Geriana Bendaj, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore." thuhet në njoftimin e bluve të kryeqytetit.
Ermir Haxhiaj dhe Geriana Bendaj akuzohen për veprat penale "Kontrabanda me mallra të tjerë", "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë", "Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë" dhe "Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.