Alda Klosi, ish-këshilltarja e ish-ministrit Arben Ahmetaj është arrestuar nga policia mbrëmjen e sotme. Dyshohet se Klosi është arrestuar për veprat penale të pastrimit të parave dhe produkteve të veprës penale.
Klosi ishte në hetim pasi pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi grabitën 120 mijë euro në shtëpinë e saj.
Ka qenë vetë Klosi ajo që ka bërë denoncimin në polici, ndërsa ka pretenduar se paratë ishin të xhaxhait të saj, i cili do të kurohej për një sëmundje të rëndë.
Policia gjeti në banesën e Dobit shumën e parave prej 120 mijë eurosh, ndërkohë që ajo u vu në pranga me djalin e saj. Në momentin e shoqërimit për në komisariat ata u mbajtën nën përgjim nga policia ku u konstatuan duke biseduar për një shumë më të madhe parash të fshehura në banesë.
Të nesërmen policia u kthye në shtëpinë e tyre për kontroll ku gjeti në tubin e aspirimit mbi 400 mijë dollarë.