Çfarë po ndodh me paratë e Alda Klosit? Ish-këshilltarja e Arben Ahmetajt dorëzon në prokurori dokumente

14 Janar 2023, 18:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Alda Klosi

Alda Klosi pretendon se shuma prej rreth 120 mijë eurosh që Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havieri vodhën në shtëpinë e Alda Klosit janë të justifikuara. Këtë pretendim, Klosi e ka mbajtur përpara hetuesve, të cilëve u ka vënë në dispozicion dokumente që sipas saj provojnë se origjina e parave është nga burime të ligjshme.

Dokumentacioni po verifikohet nga ana Prokurorisë së Tiranës, së bashku me deklarimet e dhëna prej saj.

Në momentet e para, ish-këshilltarja e ish-ministrit Arben Ahmetaj ka thënë në polici se i janë vjedhur vetëm sende me vlerë, ndërsa më vonë ka rrëfyer se në banesë ka pasur dhe para, konkretisht 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë.

Sipas Klosit, këto para i janë dhënë nga xhaxhai i saj, i cili ndodhet në Amerikë ku po kurohet nga një sëmundje e rëndë. Për këtë pretendim ajo ka paraqitur edhe disa dokumente.

Përpos këtyre verifikimeve, prokuroria vijon hetimet për 400 mije eurot e tjera që u gjetën në shtëpinë e Rozeta Dobit. Pastruesja, sipas prokurorisë, ka deklaruar se të gjitha paratë e gjetura në shtëpinë e saj i ka marrë në shtëpinë e Alda Klosit, por Klosi ka mohuar që të ketë pasur 400 mijë euro të tjera në shtëpi.

As personat e tjerë, në shtëpitë e të cilëve ka punuar Rozeta Dobi, nuk u kanë dalë për zot parave. Ata madje nuk bënë denoncim as për disa sende që policia i gjeti Dobit dhe djalit të saj, por policia zbuloi se ata e kishin punësuar Dobin nëpërmjet telefonit të pastrueses, me të cilën kishin telefonata e mesazhe të shumta.

Video