
Juventus ka fituar edhe ndeshjen e dytë në grup, duke mposhtur 4-1 marokenët e Wydad AC. Protagonisti kryesor i ndeshjes ishte Kenan Yildiz, me dy gola e gjysmë të shënuar.
Fantazisti turk hapi serinë e golave në minutën e 6-të, me një goditje të bukur duke mposhtur kështu portierin kundërshtar, falë devijimit të Boutouil. Për FIFA-n është një autogol, por aksioni i bukur dhe këmbëngulës i bardhezinjve (që shënuan pas 26 pasimeve) mbetet, ashtu si edhe leximi i shkëlqyer i ndeshjes nga turku.
Në minutën e 16-të, Yildiz shënoi golin e dytë, këtë herë me një goditje fantastike nga distanca.
Marokenët nuk u dorëzuan dhe duke përfituar nga një mungesë vëmendjeje e bardhezinjve, ngushtuan shifrat me Thembinkosi Lorch në minutën e 26-të. Pjesa e parë mbyllet 2-1 për Juventus.
Në minutën e 69-të, Yildiz tregoi edhe njëherë klasin e tij duke shënuar golin e tretë personal, pas asistit të marrë nga Kolo Muani. Në minutën e 94-të, bardhezinjtë shënuan edhe golin e katërt me Dusan Vlahovic, nga pika e bardhë e penalltisë.
Me dy fitore në grup në dy ndeshjet e para, Juventus siguron kualifikimin për në një të tetat.