Talenti i kombëtares gjermane U-21: Kam alternativë Shqipërinë, më kanë kontaktuar

20 Qershor 2025, 17:38Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nelson Weiper

Nelson Weiper mund të luajë për Shqipërinë. Këtë e ka zbuluar vetë sulmuesi 20-vjeçar, në një intervistë të dhënë për “Kicker”.

Lojtari i Mainz deklaroi se Kombëtarja kuqezi e ka kontaktuar dhe tha se kjo është burim krenarie.

Weiper u shpreh se dëshira e tij është të luajë për ekipin e parë të Gjermanisë, por në rast se kjo nuk ndodh, atëherë Shqipërinë e sheh si mundësi shumë të mirë.

“Te Shqipëria më kanë kontaktuar dhe tashmë më duan për ekipin kombëtar të të rriturve. Është vërtet një burim krenarie kur ekipi i të rriturve të një vendi të dëshiron.

Dua të tregoj talentin tim në ekipin gjerman U-21 dhe të luaj për Gjermaninë sa më gjatë të jetë e mundur. Nëse gjërat nuk funksionojnë për Gjermaninë në një moment, Shqipërinë e shoh si një mundësi shumë të mirë”, tha Weiper.

Sulmuesi është pjesë e Gjermanisë U-21 në Europian, me të cilët ka treguar paraqitje shumë të mira, ndërsa gjeti edhe rrugën e rrjetës ndaj Anglisë.

Nelson Weiper ka babain gjerman, por mund të luajë për Shqipërinë, pasi nëna e tij është me origjinë shqiptare. 

Video