
Georgi Minoungou është i verbër nga një sy, syri i majtë. Ai humbi pjesërisht shikimin për shkak të një infeksioni: nuk e besonte se ai shqetësim i ndier gjatë një turi miqësorësh me Seattle Sounders do t’i shkaktonte pasoja kaq shkatërruese. U operua, por ndërhyrja nuk i vlejti.
“Ka qenë një nga momentet më të vështira të jetës sime – shpjegoi krahu 23-vjeçar me origjinë nga Bregu i Fildishtë. – Në atë moment shpresoja të fitoja kontratën me skuadrën e parë”. Dhe i ra bota mbi supe. “Nuk di ta shpjegoj çfarë ndodhi. Ajo që di është se syri im, pak nga pak, nuk funksionoi më”.
Një mungesë që nuk e ka ndalur të vazhdojë të luajë dhe tani, në Kupën e Botës për Klube, është edhe ai në radhët e skuadrës që në natën italiane përballet me Atletico Madridin dhe të hënën e ardhshme luan kundër Paris Saint-Germain. Dhe sot, kur dikush i kërkon të dijë si arrin të luajë, ai përgjigjet pa ngurrim: “Kam vetëm një sy, por mund të bëj më mirë se ata që kanë dy.”
Një ëndërr që bëhet realitet për Minoungou
Në vitin 2024 ai firmosi kontratën dhe u lidh me klubin amerikan deri në vitin 2028 (me opsion rinovimi edhe për vitin pasues). Major League e ka njohur në fushë: në 35 ndeshje të luajtura ka shënuar 1 gol dhe ka dhënë 5 asistime. Pjesa tjetër është pjesë e “pajisjes shtesë” të një anësori që shkëlqen në duelet individuale falë prirjes për driblim. Të jesh në Kupën e Botës (qoftë edhe për klube) është një arritje e bukur. MFK Vyskov dhe Tacoma Defiance janë skuadrat me të cilat u bë i njohur përpara transferimit te Seattle. “Doja të arrija në nivelet më të larta – ka pranuar për Diario Marca – kam punuar fort dhe ia dola.”
Ai ia doli megjithëse jeta i kishte përgatitur një goditje të rëndë me verbërinë në syrin e majtë. Problemi me shikimin nuk ishte e vetmja “mal” që duhej të ngjiste. Minoungou pati vështirësi të përshtatej me rregullat taktike, me lëvizjet dhe disiplinën e skuadrës. Nuk ishte (dhe nuk është) një “kokë e nxehtë”, por mjedisi nga i cili vinte ishte krejt ndryshe. “Jam rritur në Afrikë dhe atje luhej në rrugë. Në rrugë stërviteshim. Dhe në kontekste të tilla futbolli nuk ka rregulla, për këtë kur Tacoma më mori isha i tmerrshëm nga pikëpamja taktike”. Ishte mësuar me duelet fizike mbi asfalt: i fiton dhe ecën përpara, drejt e me topin në këmbë. I humbet dhe je jashtë. “Më pëlqente vetëm të merrja topin një kundër një dhe pastaj të shpërtheja për të shënuar.”