Lionel Messi shënon supergol, Inter Miami përmbys 2-1 Porton dhe afrohet me kualifikimin!

20 Qershor 2025, 09:35Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lionel Messi

Inter Miami ka marrë një fitore me shumë peshë në fazën e grupeve (Grupi A) të Kupës së Botës për Klube, duke përmbysur Porton me rezultatin 2-1, falë një supergoli të Lionel Messit në pjesën e dytë.

Skuadra portugeze kaloi e para në epërsi në minutën e 18-të, kur Samu realizoi nga pika e bardhë me një goditje të fuqishme, duke i dhënë avantazhin portugezëve.

Reagimi i Inter Miamit ishte i menjëhershëm pas pushimit mes pjesëve.

Një aksion i bukur i ndërtuar nga Marcelo Allende, i cili pasoi te Marcelo Weigandt, përfundoi me asistin e këtij të fundit për Telasco Segovia, i cili barazoi rezultatin me një goditje të saktë për 1-1.

Më pas në skenë doli Lionel Messi.

Ylli argjentinas përfitoi nga goditja e dënimit në hyrje të zonës dhe me 'një predhë' e la sferën në trekëndësh duke vulosur fitoren e amerikanëve.

Me këtë rezultat, Inter Miami ngjitet në kuotën e 4 pikëve pas dy ndeshjesh, aq sa ka edhe Palmeiras kryesuese.

Porto dhe Al Ahly mbeten me vetëm 1 pikë. Fati i grupit do të vendoset në sfidën e fundit, ku lufta për biletat e kualifikimit në fazën tjetër pritet të jetë dramatike.

Video