Fitorja 5-0 e Anglisë ndaj Serbisë në kualifikueset e Botërorit 2026 u errësua nga tensionet në tribuna. Ndërsa lojtarët vazhdonin ndeshjen në fushë, në shkallët e stadiumit shpërtheu një rrahje e dhunshme mes vetë tifozëve serbë. Pra, nuk mjaftuan vetëm koret kundër Kosovës, “targetit” të përhershëm.
Gjithçka nisi kur një pjesë e tifozëve nisi të këndonte kore kundër presidentit Aleksandër Vuçiç, çka shkaktoi reagimin e ashpër të një grupi tjetër në tribunë.
Sherri u përshkallëzua shpejt, me goditje e përplasje edhe para fëmijëve të pranishëm, duke krijuar skena kaotike.
Policia me pajisje anti-revoltë ndërhyri menjëherë për të shmangur përkeqësimin e situatës dhe evakuuar familjet me fëmijë. Incidentet zgjatën disa minuta, por më pas u rivendos qetësia.
Batinaši na Marakani dolaze u grupama da tuku ljude koji skandiraju. Prisutna su i deca. pic.twitter.com/azF1e3gIkQ
— ?utanje nije zlato (@nije_zlato) September 9, 2025
Sipas medieve serbe, edhe bandat e kriminelit Milan Radoiçiç ishin të pranishëm dhe protagonistë të trazirave në stadium. Mediat në Beograd theksojnë se presidenti Aleksandër Vuçiç, po i përdor ata kundër protestuesve.

Anëtarët e bandës terroriste të Radoiçiç gjatë gjithë takimit kanë terrorizuar serbët që këndonin kundër presidentit Vuçiç dhe qeverisë së tij duke dhunuar këdo që i dilnin përpara, përfshirë dhe fëmijë. Shpeshherë organizonin dhe kore kundër Kosovës, ndërsa të gjithë ishin veshur me të zeza.
Ky episod reflekton tensionin e madh politik që po kalon Serbia në ditët e fundit, ku protestat e brendshme po ndikojnë edhe mjedisin sportiv.