Zelensky takim "kokë më kokë" me Ramën, e falënderon publikisht dhe njofton nënshkrimin e marrëveshjes së rëndësishme

20 Shtator 2023, 17:40Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodomyr Zelenskuy gjatë takimit në Këshillin e Sigurimit në OKB

Presidenti i Ukrainës ka falënderuar publikisht kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës, përfshi edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku vendi ynë ka presidencën.

Zelensky ka shpërndarë një fotografi nga takimi me Ramën, ambasadorin Ferit Hoxha dhe ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, pak para nisjes së mbledhje së Këshillit të Sigurimit që drejtohet nga Shqipëria.

Zelensky gjithashtu njofton se me Ramën kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për mbështetjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

“Jam takuar me Edi Ramën për të falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e Ukrainës, duke përfshirë edhe brenda Këshillit të Sigurimit.

I jam veçanërisht mirënjohës Shqipërisë për anëtarësimin në Deklaratën e G7 për garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Ne nënshkruam gjithashtu një deklaratë të përbashkët për mbështetjen për integrimin e Ukrainës në NATO”, shkruan Zelensky në rrjetet sociale.

Presidenti Zelensky është ftuar të mbajë fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, ndërsa përfaqësuesi rus ka akuzuar pak më herët se Presidenca e Shqipërisë në KS po shkel praktikat duke kundërshtuar praninë e liderit ukrainas.

Video