U dënua me 1 vit burg, Apeli shqyrton të hënën çështjen ndaj Salianjit për "Babalen"

2 July 2022, 14:29Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
U dënua me 1 vit burg, Apeli shqyrton të hënën
Ervin Salianji

Të hënën e 4 Korrikut pritet të zhvillohet në Gjykatën e Apelit të Tiranës seanca ndaj deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i cili u dënua me një vit burg nga gjykata e shkallës së parë. Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen "Babale".

Në apel e ka çuar çështjen dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg të konvertuar  në 100 orë shërbim komuniteti.

Pranverën e 2018-ës, Salianji botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.

Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti.

Agron (Geron) Xhafaj në atë kohë iu dorëzua autoriteteve italiane lidhur me një dënim për trafik droge dhe sot e ka përfunduar dënimin dhe është i lirë, ndërsa Salianji rrezikon të shkojë në qeli.

Lidhur me çështjen "Babale", gjykata ka dënuar dhe me 3 vite e 5 muaj burg Albert Veliun dhe 2 vite burg për Fredi Alizotin


Video