Samit dhe protestë në Tiranë, reagon BE: Të garantohet siguria duke respektuar liritë e ligjshme të qytetarëve

24 November 2022, 20:23Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Samit dhe protestë në Tiranë, reagon BE: Të garantohet
BE

Bashkimi Europian e konsideron protestën e thirrur nga opozita në 6 dhjetor si një ushtrim i lirive të ligjshme të qytetarëve, që duhet të respektohet nga autoritetet pavarësisht se në të njëjtën ditë zhvillohet në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor.

“Kjo është hera e parë që samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet në rajon, duke i dërguar një mesazh të fortë Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor për rëndësinë e tyre gjeostrategjike për BE-në. Ne kemi besim se, si mikpritës, autoritetet publike shqiptare do të sigurojnë zhvillimin e sigurt dhe të rregullt të samitit, duke respektuar ushtrimin e ligjshëm të lirive nga qytetarët”, tha Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë për A2.

Mazhoranca socialiste ka akuzuar opozitën se me këtë protestë po cenon interesat e vendit dhe sigurinë e samitit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shkelur edhe zakonet shqiptare të mikpritjes. Ndërsa opozita ka garantuar se protesta do të jetë paqësore, me fokus kundër qeverisë, jo miqve europianë.


Video