Kryeministri Edi Rama sapo ka nisur një takim në Kryeministri me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, njëherësh kandidat të propozuar për President. Gjatë takimi, Edi Rama do t’i kërkojë Begajt edhe zyrtarisht pranimin e propozimit të Partisë Socialue.
Kreu i PS dhe njëherësh kryeministri i vendit, Edi Rama në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS u shpreh i sigurt se ka votat e nevojshme për ta zgjedhur Begajn kreun e ri të shtetit.
“Kemi arritur në konkluzionin që z. Bajram Begaj është i duhuri për të qenë Presidenti i Republikës së Shqipërisë për 5 vitet e ardhshme”, tha kryeministri Rama.
Ai tha se është ndjekur shembulli i Alfred Moisiut në krye të Presidencës për të arritur tek ky propozim.
Emri i Begajt, shtoi Rama është zgjedhur mes 26 emrave që janë diskutuar në Kryesinë e PS-së.
“Në listën e fundit ishin 6 emra, 3 gra dhe 3 burra”, tha Rama duke iu përgjigjur pyetjes se përse nuk pati një kandidate për President.
Begaj, i lindur në 1967, është Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.