Rama dhe Kurti nuk pajtohen, edhe pas ngjarjeve në Veri, asnjë komunikim me njeri- tjetrin

27 Shtator 2023, 13:16Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Albin Kurti dhe Edi Rama

Edhe pas ditëve të vështira që kaloi Kosova duket se liderët e dy vendeve nuk kanë komunikim me njeri-tjetrin.

Gazetari Xhoi Malesia u interesua pranë dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë nëse dy kryeministrat kanë komunikuar pas sulmit terrorist në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë një polic, dhe ende nuk ka marrë një përgjigje.

Megjithatë burime për emisionin Breaking nga Xhoi Malesia ne Top News shpjeguan se mes dy liderëve nuk ka asnjë komunikim.

Marrëdhëniet mes Kurtit dhe Ramës kanë qenë të tensionuara së fundmi duke kulmuar më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Një ditë më herët, Kurti tha se me Ramën do të takohej vetëm në mbledhjen e qeverive të të dyja shteteve.

Një mbledhje e tillë, e planifikuar të mbahej më 14 qershor, nuk u mbajt, pasi Rama kërkoi që t’i ndërrohej formati, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Situata e sigurisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u përkeqësua qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Video