Rama dhe Begaj ‘harrojnë’ Kosovën, nisen në Itali për takime dhe homazhe!

26 Shtator 2023, 10:53Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama/ Bajram Begaj

Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama shkojnë ditën e sotme në Itali.

Begaj do të marrë pjesë në  funeralin shtetëror të ish-Presidentit të Republikës së Italisë, Senatorit të Përjetshëm, Giorgio Napolitano.

Në ceremoninë që do të zhvillohet në Selinë e Parlamentit italianRomë do të jenë të pranishëm figura të rëndësishme të politikës italiane dhe asaj evropiane.

Ish-Presidenti Napolitano ka qenë një mbështetës i përhershëm i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe i respektimit të të drejtave të shqiptarëve.

Ndërsa kryeministri, niset sot pasdite drejt Italisë, pritet të zhvillojë nesër një takim me homologen e tij Italiane, Giorgia Meloni ndërsa sot Rama do të takohet me Presidentin e Senatit

Ndryshe nga Presidenti Begaj, kryeministri Rama nuk do të marrë pjesë në homazhe që do të kryhen në nder të ish-presidentit Napolitano.

Duket se Presidenti, Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama e kanë 'harruar' ngjarjet që ndodhën në Kosovë. Të vetmet reagimet të tyre kanë qenë statuse në rrjetet sociale.

Kujtojmë se një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit.

Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur  kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë.

Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi./VoxNews 

Video